Korrupsion në zgjedhje, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun e Rrogozhinës
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar la në fundi vendimin e gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dënimin me 1 vit burg të kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, për akuzën e “korrupsionit aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Vendimi u mor sot nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Igerta Hysi (anëtare). Gjithashtu u la në fuqi vendimi për heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për Edison Memollën për një periudhë 5-vjeçare.
Apeli i GJKKO la në fuqi edhe vendimin për Ndriçim Tafxhafën, i dënuar me 1 vit burgim për “korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
Gjithashtu edhe për Blerim Xhamanin u la në fuqi dënimi me 1 vit burgim për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “falsifikim të dokumenteve”, kryer në bashkëpunim. Isuf Tosku gjithashtu u shpall fajtor nga Apeli i GJKKO për “falsifikim të dokumenteve” dhe u dënua me shërbim prove.
Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar.
Hetimet për kryebashkiakun nisën pas publikimit në media të një audiopërgjimi ku dëgjohet Edison Memolla, në atë kohë kandidat për kryetar bashkie në Rrogozhinë, teksa ndikon tek një elektriçist për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor.
Për Prokurorinë e Posaçme, e gjithë kjo bëhej me qëllim që qytetari të votonte në favor të tij në zgjedhjet e pjesshme lokale të datës 6 mars 2022.

