Konferenca e Kryetarëve, nuk ka dakordësi për axhendën parlamentare deri më 7 shkurt

Konferenca e Kryetarëve të grupeve parlamentare u mblodh sot nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për të miratuar kalendarin dhe programin e punës së Kuvendit për periudhën 20 janar – 7 shkurt.

Pas diskutimeve, Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.

Mbledhja vijoi me miratimin e projektkalendarit vjetor të Kuvendit për raportimin e Institucioneve të Pavarura për veprimtarinë e vitit 2024 dhe ushtrimit të kontrollit parlamentar të komisioneve për vitin 2025.

Po ashtu në mbledhjen e sotme u miratua me dakordësi edhe projektplani i veprimit të Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2024.

Një tjetër pikë e rendit të ditës ishte edhe miratimi i projektmetodologjisë së vlerësimit parandalues për korrupsionin në Kuvendin e Shqipërisë.

Po ashtu, anëtarët e Konferencës së Kryetarëve u informuan edhe mbi raportin e monitorimit për periudhën 1 korrik – 31 tetor mbi realizimin e planit të veprimit të Kuvendit, për zbatimin e rekomandimeve të raportit të KE-së për vitin 2023.