Koment: “Valla mirë po rritet standardi, çmimet 50 për qind, pensionet tre për qind!”

Shkup, 21 janar – Pensionistët do të përfitojnë 2.9 për qind pensione më të larta të janarit, sipas rritjes së përcaktuar me ligj. Kjo do të thotë se për një pension prej 11 mijë denarësh, pensionistët do të marrin 320 denarë pension më të lartë, ndërsa pensioni mesatar prej 15.900 denarë do të jetë më i lartë për 460 denarë.
E madje nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor thonë se janë duke u bërë përllogaritjet dhe se këtë muaj qytetarët do të kenë pagesë të parakohshme të pensioneve.
“Sipas harmonizimit ligjor me koston e jetesës, pensionet e janarit do të rriten me 2.9%. Sipas harmonizimit të ri, pensioni mesatar do të rritet për 460 denarë dhe do të jetë 16.336 denarë. Në dhjetor 2021, pensioni mesatar ishte 15.876 denarë”, njoftojnë nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor.
Për momentin në vend numërohen rreth 330 mijë pensionistë. Sipas statistikave, 27 për qind prej tyre kanë pension deri në 11 mijë denarë, ndërsa 23 për qind marrin pension nga 11 deri në 14 mijë denarë. Kjo do të thotë se për 50 për qind të pensionistëve rritja do të jetë simbolike dhe e pamjaftueshme për përballje të valës së shtrenjtimeve.
Rritja e pensioneve me të cilën lavdërohet pushteti, e që nuk arrin as tre për qind, vjen në kohën kur në vendin tonë shënohet rritje galopante e çmimeve të gjitha produkteve dhe shërbimeve. Ajo që është më shqetësuese për qytetarët, e veçanërisht për pensionistët, është se rritja më e madhe vërehet te rryma dhe produktet bazike ushqimore, por nuk duhet të harrohen edhe çmimet e barnave. Është vështirë të mbahet evidencë e saktë për përqindjen e shtrenjtimeve, sepse ato janë gati të ditë për ditshme, pa ndonjë tregues të qartë se kur do të stabilizohen. Dmth nuk është në pyetje luksi, por mbijetesa. Sepse çmimet rriten çdo ditë, kurse pensionet “vitin e kaluar një herë, e sivjet më rrallë”. Sinqerisht kështu i përngjan situata, pa dashur të bëjmë humor, se me të vërtetë nuk ka mbetur më vend për humor.
Diskrapanca kaq e madhe mund të sjellë shumë pesionistë, por edhe kategroi tjera të qytetarëve nën pragun e varfërisë. Sepse aspak më mirë nuk janë as ndihmat sociale, rrogat e arsimit, administratës, dhe në lëmi tjera, ku rritjet e rrogave poashtu janë me përqindje simbolike, deri sa çmimet assesi nuk po “ngrihen”.
Nëse të punësuarit e rinj në administratë, arsim shëndetësi dhe degë tjera në rast përkeqësimi eklatant, shpëtim mund të kërkojnë fundja duke migruar në vendet perëndimore, parashtrohet pyetja se çka do të ndodhë me kategoritë më të moshuara, e veçanërisht me pensionistët. Ata nuk mund të gjejnë më punë as në Gjermani, as në Zvicërr, as në Belgjikë, Austri, Itali, Suedi ose Norvegji.
Kjo është arsyeja se pse duhet shqyrtuar seriozisht kërkesa e shoqatave dhe Partisë së Pensionistëve për rritje të mëtejshme të pensioneve pavarësisht rritjes ligjore. Ata tash e një vit janë në negociata me Qeverinë dhe gjatë këtyre 10 ditëve do të kërkojnë ndryshimin e modelit të përllogaritjes së pensioneve. Sipas tyre, pensionet do të rriten në përputhje me rritjen e pagave minimale dhe mesatare, e jo vetëm të merret parasysh kosto e jetesës.
Duhet të pranohet ose propozimi i parë, që parasheh përshtatje të pensioneve me 1 janarin dhe 1 korrikun sipas kostos së jetesës dhe rritjes së pagës mesatare, ose propozimi i dytë që ligji të parashohë se në rast se paga minimale është më e lartë se 15 për qind dhe mesatarja 5 për qind, qeveria mund të marrë vendim për harmonizim. Në dhjetë ditët e ardhshme presim të gjejmë një model për rritjen e pensionit
Problemi është edhe më i madh për shkak se Maqedoninë e Veriut dal ngadal po e kaplon sindroma e shumë vendeve tjera evropiane, e ajo është sindroma e mplakjes së popullsisë. Për fat të keq, kjo sindromë vendin tonë po e gjen pa standard të konsoliduara të pensionistëve, sin ë aspektin e të ardhurave, poashtu edhe në aspektin e beneficioneve tjera. Në anën tjetër, rinia vazhdimisht po largohet nga vendi dhe me këtë shtohet edhe numri i pensionistëve të moshuar të cilët nuk kanë familjarë që të përkujdesen për ta, përderisa nuk vërehet ndonjë zgjerim serioz i infrastrukturës institucioonale përkujdesëse. Në këtë mënyrë, kostoja e harxhimeve të tyre shtohet në mënyrë plotësuese.
Shumë mirë e përshkruajti këtë situatë një pensionist i anketuar në njërin prej televizioneve nacionale, kur tha: “Valla mirë po rritet standardi, çmimet 50 për qind, pensionet 3 për qind”. ///Zhurnal