Koment: Politika profesioni më i paguar në Maqedoninë e Veriut!
Shkup, 24 janar – Në Maqedoninë e Veriut rroga mesatare neto është nën 30 mijë denarë, respektivisht rreth 470 euro, por ka edhe rroga më të larta.
Programuesit kompjuterik marrin pagat më të larta në vend.
Të dhënat e publikuara nga Enti Shtetëror i Statistikës (ESSH) tregojnë se paga mesatare më e lartë neto në muajin nëntor është paguar në sektorin Programim kompjuterik, këshillim dhe aktivitete të ngjashme me vlerë 74.062 denarë apo rreth 1250 euro.
Rroga të larta janë paguar edhe në fushën e shërbimeve financiare.
Rroga prej mbi 70 mijë denarëve apo mbi 1150 euro është paguar në fushën e sektorit farmaceutik.
Rroga prej 66.975 denarëve apo rreth 1100 euro është paguar në veprimtaritë shkencore dhe teknike.
Ndërsa rroga prej 66.592 mijë denarëve apo mbi 1100 euro është paguar në sferën e sigurimeve dhe fondeve pensionale.
Pas tyre vjen transporti ajror me pagë prej 52.032 denarë.
Politikanët më të pasur se programerët!
Këto janë të dhënat zyrtare nga Enti i Statistikave, që publikohen në intervale të rregullta kohore, por çka mendoni si qëndron realiteti? Cili profesion është më i paguar realisht? Pajtohemi se profesioni më i paguar në Maqedoninë e Veriut ka qenë dhe mbetet ai i politikanit. Jo në bazë të dhënave zyrtare, por në bazë të realitetit.
Shikoni pasurinë që e posedojnë politikanët dhe shumë lehtë do të arrini te përfundimi i saktë. Shikoni në çfarë shtëpishjetojnë, sa banesa kanë të deklaruara e sa të padeklaruara, çfarë vila e “vikendica” posedojnë bregdeteve e maleve, çfarë vetura vozitin. Shikoni ku i kalojnë pushimet verore, e ku pushimet dimërore. Si e arrijnë këtë, me punë? Jo assesi. Ndoshta janë kursimtarë? Edhemë hiç! Sepse edhe nëse do të kursenin gjithë rrogën që e marin, bashkëme mëditjet dhe honoraret, prapë se prapë nuk kanë mbulesë të mjaftueshme për pasurinë që e kanë.
A mos janë biznesmenë të suksesshëm? Nuk është për t’u besuar. Si po u qëllon të gjithëve që të pasurohen dhe “t’u ecë biznesi” pasi të futen në politikë. Si është e mundur që politikanët të jenë më të pasur edhe se programerët, edhe se të punësuarit në sektorin financiar, edhe se të punësuarit në aerotransport,… madje edhe më të pasur se narko dilerët?
Është e qartë se si. E dimë të gjithë “sekretin” e suskesit dhe pasurisë së tyre. Por a kanë faj vetëm ata, apo kemi ne të gjithë? Kjo është pyetje që meriton përgjigje sa më të shpejtë. /Zhurnal

