KOMENT: Po afrohen zgjedhjet e para parlamentare në të cilat BDI nuk ka “monopol” të plotë në Kërçovë!

Shkup, 2 shkurt – Tentimi për formimin e një qeverie afatgjate në krye me Dimitar Kovaçevskin kryeministër, po duket një mision i dështuar që në fillimin e saj. S duket për këtë tashmë janë vetëdijesuar jo vetëm partitë e vogla në koalicionin qeveritar, por edhe partitë e mëdha LSDM dhe BDI.

Fillimi i bisedimeve me VMRO-DPMNE-në, ishte treguesi i parë se qeveria është në këmbë të qelqta. Gjuha e përbashkët e gjetur që në takimet e tyre të para për shumicën e çështjeve që kanë biseduar, forcon edhe më shumë këtë bindje. Sepse është e qartë se qëllim nuk është vetëm reforma zgjedhore, por edhe dërgimi i mesazhit të pakënaqësisë ndaj LSDM-së dhe Kovaçevskit, si dhe trasim i rrugës për afrim të mundshëm me VMRO-DPMNE-në, shkruan Zhurnal.

Sjellja e partive të vogla nuk është treguesi i vetëm se po afrohen zgjedhjet e parakohshme. Shumë tregues tjerë vërehen edhe brenda LSDM-së dhe BDI-së. Një prej tyre është edhe video e postuar nga kryetari i “integristëve” Ali Ahmeti, përmes së cilës paralajmëron konfrontim me përmasa të njëjta me të dy partitë maqedonase: edhe me partnerin aktual, LSDM-në, por edhe me kundërshtarin opozitar, VMRO-DPMNE, shkruan Zhurnal.

Është shumë e qartë se kjo video i përngjan fillimit të një fushate parazgjedhore, sepse siç dihet tek ne fushata vetëm formalisht është 20 ditë, kurse realisht fillon së paku 6 muaj më herët.

Në këtë drejtim flasin edhe të gjitha analizat e mirëfillta që qarkullojnë në opinion, kurse si afat më i mundshëm për zgjedhje të parakohshme do të jetë shtatori ose tetori, nëse Qeveria nuk “dorëzohet” edhe më herët. Por të gjitha analizat e logjikshme tregojnë se viti 2022 vështirë se do të mund të mbyllet pa një palë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Hovi që VMRO-DPMNE mori në zgjedhjet lokale, dita ditës poi a gërryen dheun nën këmbë kësaj qeverie, duke e sjellë në situatë që të përballet me probleme edhe brenda vetes, respektivisht me partnerët e vegjël.

Që nga koha e PDSH-së, BDI akuzohej se garën zgjedhore po e fillon prej starti me dallim “14 mijë me zero”, dallim që e siguronte pikërisht në Kërçovë. Akuzat për këtë “përparësi” nga starti të BDI-së, shoqëruar me akuza për manipulime dhe mbushje kutish, kanë vazhduar edhe më vonë edhe pse asnjëherë nuk janë faktuar.

Mirëpo tani situata ka ndryshuar. Ndryshimi filloi që nga zgjedhjet lokale, me paraqitjen e një figure të fuqishme politike kundër BDI-së, si Fatmir Limani, kurse me siguri do të vazhdojë edhe në zgjedhjet parlamentare, në të cilat Limani do të udhëheqë Lëvizjen Besa në Kërçovë. Me 4.500 votat e fituara në zgjedhjet lokale si kandidat I pavarur, Limani i ka dhënë fund “monopolit”të plotë të BDI-së në Kërçovë, kurse në zgjedhjet lokale ky monopol mund të zbehet edhe më tepër, duke pasur parasysh se dita ditës në Kërçovë po forcohen edhe subjekte tjera politike.

Me shtimin e konkurrencës, kuptohet se ulet edhe mundësia për manipulime votash, diçka që vazhdimisht e kanë përmendur deri tani kundërshtarët e BDI-së. Me këtë, gara për votat e kërçovarëve bëhet shumë më interesante, njësoj si gara në komunat tjera ku marrin pjesë partitë shqiptare.//Zhurnal