Koment: Pasi dështuan në Prishtinë, a mundet provokatorët serbë të kërkojnë “emblema të UÇK-së” edhe në Shkup?!
Shkup, 28 shkurt – Askush nuk u habit aq shumë, kur mediumet kosovare kanë raportuar se policia e Kosovës ka arrestuar tre shtetas serbë, të cilët kishin blerë emblema të UÇK-së në njërin nga dyqanet e Prishtinës dhe ishin duke planifikuar blerjen e disa uniformave në një dyqan tjetër në Prishtinë.
Burime brenda institucioneve të sigurisë tregojnë se të arrestuarve u janë gjetur edhe një shumë e konsiderueshme e të hollave kesh.
Si duket serbët kanë përgatitur një plan për t’i incizuar disa video kinse ushtarë të veshur me uniforma të UÇK-së, janë gati për të filluar luftë për të marë veriun e Kosovës.
Nuk na duhet shumë të rikujtojmë vitet e nëntëdhjeta, dhe shembujt që tregojnë se serbët janë mjeshtër të inskenimit të situatave të tilla. E rast më i njohur i tillë ishte rasti “Panda”, kur pushteti i Millosheviqit në dhjetor të vitit 1998, kishin vrarë fëmijët serbë në një lokal në Pejë të quajtur “Panda”, për tua lënë fajin shqiptarëve.
Sulmuesit kishin veshur uniforma me emblema të UÇK-së gjatë aktit të sulmit, dhe i njëjti sulm i ishte mveshur UÇK-së për ta etiketuar si organizatë terroriste.
Prandaj janë shumë të bazuara dhe serioze dyshimet se sikur atëherë edhe tani, Serbia përmes kësaj taktike po planifikon pretekst për të ndërhyrë ushtarakisht në Veriun e Kosovës, kinse për të mbrojtur shtetasit serbë të Republikës së Kosovës.
Krejt këto skenare kërkojnë syçeltësi më të madhe të shqiptarëve në Kosovë, por edhe në rajon. Momenti kur ndodhin këto provokime, që përputhen me luftën në Ukrainë, thellon dyshimin se në këtë “skenografi” nuk është e involvuar vetëm Serbia, por se provokimet vijnë nga qendra e cila po rrezikon sot paqen mbarëbotërore, e që në Ballkan aleat më të besueshëm e ka Serbinë. Po ia dijmë emrin, por nuk po duam të ja përmendim, apo jo. Ne si shqiptarë duhet të jemi shumë të kujdesshëm në këto moment nga “uniformat e UÇK-së” të cilat po i blejnë serbët, e të cilëve u janë zbuluar veçmë lidhjet e ngushta me Beogradin.
Shumë mediume, analistë dhe gjeostrategë të rangut më të lartë, kanë paralajëmruar se rezistenca e fuqishme e ushtrisë dhe mbarë popullit të Ukrainës, mund ta detyrojë Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin, të mundohen ta zgjerojnë forntin edhe në rajone tjera të kontinentit tonë, por edhe në kontinente tjera.
Sot është paralajmëruar se do të zhvillohet një takim në mes të një delegacioni ukrainas dhe një delegacioni rus dhe të gjithë ne duhet të shpresojmë se ky takim do të jetë fillim i mbarë i një procesi paqësor, që do të parandalojë më të keqen.
Por duhet përsëritur, se syçeltësia është e domosdoshme.
Një gjë të tillë e sugjerojnë edhe zyrtarët më të lartë evropianë, e botërorë. Vetë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të dielën, se shtetet e BE-së janë të shqetësuara se kriza e shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës mund të përhapet në vendet fqinje, duke përfshirë Moldavinë, Gjeorgjinë dhe Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi të shqetësuar për atë që mund të ndodhë në rajon,” tha Borrell në një konferencë për media në Bruksel pas një takimi virtual të ministrave të jashtëm të BE-së mbi krizën që po mbizotëron në Ukrainë.
“Ne kemi frikë se Rusia nuk do të ndalet në Ukrainë dhe ndikimi rus mund të fillojë të funksionojë në vendet fqinje”, tha Borrell.
Si përgjigje ndaj krizës në Ukrainë, BE-ja për herë të parë në histori ka njoftuar se do të përdor fondet e saj për të ndihmuar ushtarakisht ukrainasit. Kjo mund të revoltojë edhe më tepër Putinin, mirëpo ndoshta është gjuha e vetme që ai e kupton.
Është gazetarja serbe e Radio Evropës së Lirë, Ludmila Cvetkoviq, e cila në një tekst të saj përshkruan me mjeshtri rrezikun nga presidenti rus.
Që në rreshtat e parë të portretit krahasues, ta quajmë ashtu, Cvetkoviq shkruan se presidenti rus, Vlladimir Putin, sikur e ka “ringjallur” ish-liderin serb Sllobodan Millosheviq.
“Mesazhet që ai dërgoi disa ditë para sulmit ndaj Ukrainës përkujtojnë matricën e Millosheviqit, e njohur nga vitet ‘90 në Ballkanin Perëndimor. Luftërat në ish-RSFJ, sanksionet ndërkombëtare dhe izolimi i vendit, hiperinflacioni, bombardimet e NATO-s mbi Jugosllavinë – shënuan sundimin e Millosheviqit. Putini edhe më herët është përshkruar si “Sllobodan Millosheviq me bombë atomike”, shkruan gazetarja e njohur për guximin e saj autorial, Ludmila Cvetkoviq.
Deklaratën e njohur “Askush nuk guxon t’ju rrahë”, Sllobodan Millosheviqi e bëri gjatë një takimi me përfaqësuesit serbë të Kosovës, në Fushë Kosovë, më 24 prill 1987. Vladimir Putin, gjatë fjalimit të tij drejtuar kombit për shkak të njoftimit për ndërhyrjen kundër Ukrainës, më 24 shkurt 2022, pati narracion të ngjashëm, konstaton Cvetkoviq.
Ky portretizim i Putinit, tregon se sa i paparashikueshëm ai mund të jetë për paqen në mbarë Evropën, prandaj kujdesi ynë i shtuar është i domosdoshëm. Sepse ashtu siç kanë tentuar serbët të blejnë uniforma të UÇK-së në Prishtinë, njësoj mund të tentojnë nesër pasnesër të blejnë edhe në Shkup, Tetovë, Kumanovë, ose në Luginë të Preshevës. Kjo pasi “skenaristët” e incidenteve me siguri janë të vendosur që të bëjnë gjithçka që është e mundur të realizojnë “filmat” e tyre deri në fund.

