Koment: Partnerët e LSDM-së në “përqafim” të VMRO-DPMNE-së, po afrohen zgjedhjet e parakohshme?!
Shkup, 31 janar – Partia më e madhe opozitare – VMRO-DPMNE, ka filluar një sërë takimesh me partitë e vogla parlamentare, lidhur me kërkesën e tyre për formim të një njësie zgjedhore.
Sot janë realizuar takime mes VMRO-DPMNE-së dhe Lidhjes Demokrate të Pavle Trajanovit, por edhe me VMRO-Populloren e Lubço Georgievskit.
Për nesër është caktuar takim i VMRO-DPMNE-së me PLD-në dhe me përfaqësues të partive tjera parlamentare, me qëllim të arritjes së marrëveshjes për një njësi zgjedhore.
Afrimi i partive të vogla me Mickovskin, mund ta largojë shumë shpejtë Kovaçevskin nga posti i kryeministrit
Dhe sa më shumë që po afrojnë qëndrimet VMRO-DPMNE dhe partnerët e vegjël të LSDM-së për modelin me një njësi zgedhore, aq më shumë po lindin dyshime për jetëgjatësinë e qeverisë së Dimitar Kovaçevskit, Zoran Zaevit dhe Afrim Gashit, shkruan Zhurnal.
Kurse VMRO-DPMNE-ja e Hristijan Mickovskit pamëshirshëm po e goditë qeverinë në pikën e saj më të dobët- te kërkesa e partive të vogla për një njësi zgjedhore. Për shumicën aktuale, kërkesa për një njësi është gati se e papranueshme, për shkak se ajo kundërshtohet nda BDI-ja me 15 deputetë. Mirëpo rrethanat e tanishme në skenën politike, kanë sjellur një situatë paradoksale, kur 4 deputetë të partive të vogla vlejnë gati se njësoj sa 15 deputetë të BDI-së.
Edhe më shumë situata do të komplikohet nëse përveç PLD-së, VMRO-Popullores dhe LD-së, me VMRO-në e Mickovskit futen në negociata edhe partia DOM me një deputet, ose edhe PRSD e Tito Petkovskit, por edhe nëse pakënaqësisë së Izet Mexhitit i bashkëngjitet edhe ndonjë deputet tjetër i BDI-së. Në atë situatë do të krijohet një minus aq i madh te shumica, sa që vështirë mund ta kompensojnë edhe nëse kanë ndonjë “deputet rezervë” në radhët e partive opozitare.
“Llogaritë” e shumicës së tanishme po i prish interesi i VMRO-DPMNE-së për zgjedhje sa më të shpejta, për të shfrytëzuar inercionin e fitores së madhe në zgjedhjet lokale. Kjo i jep përparësi Mickovskit të jetë më “zemërgjerë” ndaj kërkesave të opozitës në krahasim me kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski. Aq më tepër që te partitë e vogla si duket nuk është në pyetje vetëm kërkesa për një njësi zgjedhore, por bëhet fjalë edhe për shprehje të revoltës meqë u ndien të diskriminuara gjatë ndarjes së “kulaçit” kur u formua qeveria Kovaçevski. Poashtu, ata tani shohin ndoshta edhe moment të volitshëm për rrëzimin e një qeverie për të cilën nuk fshehën se ka shumë ministra shqiptarë.
Në këtë situatë ata janë të gatshëm të pranojnë edhe kërkesa të VMRO-DPMNE-së, që janë të papranueshme për partnerin e tyre kryesor, LSDM-në, siç është kërkesa për ulje të numrit të deputetëve nga 120 në 90.
Ato kanë caktuar edhe agjendën e përgjithshme të bisedimeve me VMRO-DPMNE-në, sipas të cilave në fazën e parë duhet të miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor, me çka Maqedonia e Veriut do të jetë një njësi zgjedhore dhe pa prag zgjedhor, në fazën e dytë të bëhen reforma më gjithëpërfshirëse të rregullave zgjedhore, me çka do të anuloheshin përparësitë sistemore të katër partive më të mëdha, posaçërisht lidhur me përfaqësimin mediatik dhe financimin e fushatës zgedhore nga Buxheti, kurse në fazën e tretë të bëhen ndryshime kushtetuese me të cilat do të ulet numri i deputetëve nga 120 në 90 deputetë.
Madje tashmë janë caktuar edhe afate konkrete dhe pritjet e tyre janë që në 15 ditët e ardhshme Komisioni për Sistem Politike dhe Marrëdhënie mes Bashkësive të fillojë debat për Kodin Zgjedhor, i cili veçmë është në procedurë parlamentare.
Qeveri e re, apo zgjedhje të parakohshme?
Kjo qeveri, ende e pakonsoliduar sa duhet numerikisht, vështirë mund të mbijetojë largimin eventual të PLD-së, LD-së dhe VMRO-Popullores, të cilat bashkë kanë 4 deputetë. Nëse kemi arasysh se shumica aktuale ka 63 deputetë, për shkak të rezervave që ka deputeti dhe nënkryetari BDI-së, Izet Mexhiti, atëherë kjo shumicë mund të kalojë shumë lehtë në pakicë me 59 deputetë, shkruan Zhurnal.
Në atë situatë, hapen disa mundësi, ndër të cilat dy janë më të besueshme.
Mundësia e parë është formimi i një qeverie të re, e cila do ta çonte vendin në zgjedhje të reja parlamentare. Kjo mundësi duket pak e besueshme, sepse me siguri sërish do të paraqiten në sipërfaqe problemet që u paraqitën në tentimin e para vitit të ri për të rrëzuar qeverinë e ish kryeministrit Zoran Zaev, ku dikush nuk do të don të bashkëpunojë me “Levicën”, dikush me “desnicën” dhe në fund sërish nuk do të krijohet shumicë e mjaftueshme për Qeveri të re.
Mirëpo shumë më e besueshme, nëse negociatat e partive të vogla vazhdojnë mirë me Mickovskin, ashtu siç kanë filluar, është shpërbërja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme. Meqë si orientim të vetëm për momentin kemi dinamikën e negociatave në tri faza VMRO-DPMNE-Partitë e vogla, atëherë është për t’u pritur se epilogu i atyre negociatave mund të vijë në muajin prill ose maj. Nëse shumica aktuale arrin t’i pengojë ndryshimet e Kodit Zgjedhor për një njësi zgjedhore, është e pritshme që partitë e vogla që insistojnë në këtë kërkesë të lëshojnë qeverinë dhe të afrohen me VMRO-DPMNE-në. Atëherë shpërbërja e Kuvendit mund të pritet më së voni në qershor, e zgjedhjet e parakohshme në shtator. Mirëpo për ndonjë termin më të saktë kohë është vështirë të flitet prej tani, sepse nuk dihet edhe partitë e vogla se si i kanë raportet mes vete, respektivisht nëse i kanë gjithë deputetët nën kontroll.
Poashtu nuk përjashtohet mundësia që në situatë kur të përballen me mundësinë të jenë në pushtet, ose të shkojnë në opozitë, apo në zgjedhje të parakohshme parlamentare, partitë bartëse të koalicionit qeveritar mund të tregojnë gatishmëri më të madh për pranimin e kërkesave të partive të vogla dhe për arritje të një kompromisi.
Këtë në njëfarë mënyre e paralajmëroi edhe kryeministri DImtar Kovaçevski, njëherit kryetar i LSDM-së.
Duke i komentuar takimet e partnerëve të vegjël me VMRO-DPMNE-në, Kovaçevski, ka thënë se partia e tij është partia e parë që e ka përkrahur propozimin e partive të vogla për një njësi zgjedhore.
Ai akuzoi VMRO-DPMNE-në se është joserioze, pasi vazhdimisht bën thirrje për zgjedhje të parakohshme në kohë pandemie dhe në kohën e krizës më të madhe energjetike në Evropë dhe kur ende është prezentë kriza ekonomike. Mirëpo për të mbijetuar në post, ai do të duhet të bëjë “matematika” shumë më të thella se akuzat ndaj VMRO-DPMNE-së, se përndryshe mund të shkojë në histori si njeriu me mandat më të shkurtër kryeministror deri tani.///Zhurnal

