Koment: Mos të lejojmë dënimet e përjetshme të shëndërrohen në dënim me vdekje si në rastin e Rexhailit!

Shkup, 28 janar – Rexhail Qerimi ishte vetëm një nga shumë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut të dënuar me burgim të përjetshëm. As procesi gjyqësor në të cilin ai u dënua, i koduar me emrin “Alfa”, nuk është i vetmi proces ku janë dënuar shqiptarët, e për të cilët ekzistojnë mijëra e miliona dyshime se janë procese të montuara.

Dyshimet nuk ekzistojnë vetëm në opinionin e gjerë. Dyshime të tilla shprehin edhe ekspertët, edhe gazetarët, edhe bashkëluftëtarët, edhe familjarët. Madje edhe politikanët tanë njëzëri, si në pushtet poashtu në opozitë,  e pranojnë se rastet përngjajnë të jenë të montuara, por kjo nuk jep asnjë efekt. Aq është fuqia e tyre, vetëm të shprehin dyshime, e nuk kanë fuqi edhe të veprojnë. E deri sa shprehen dyshime, gjykatat pa asnjë pengesë në procese të dyshimta të pandehurve u shqiptojnë dënime maksimale, ata vuajnë dënimet drakonike, që në fund rezultojnë edhe me epilog tragjik, si në rastin e Rexhailit.

Versioni zyrtar, i dhënë edhe nga drejtoria e burgut, edhe nga policia por edhe nga Prokuroria, nuk len shumë vend për të dyshuar. Sipas tyre Rexhaili si duket ka pësuar atak kardiak, e nuk ka vdekur nga përdorimi i dhunës. Edhe pse është ende herët, formalisht mud të thuhet se nuk bëhet fjalë për vrasje.

Sikur të jetë vërtetë kështu , nëse e analizojmë këtë rast realisht, atëherë mund të themi se në njëfarë mënyrë bëhet fjalë për vrasje. Edhe atë vrasje me paramendim. Vrasje e prolonguar, por e vazhdueshme. Vrasje që filloi me paraqitjen e “dëshmitarëve të koduar”, që paraqesin kodin e këtij shteti në bazë të cilit po shqiptohen dënime drakonike për shqiptarët.

Vrasja e prolonguar, por e pandalshme, vazhdoi edhe në momentin kur gjykata refuzoi të marrë parasysh provat e reja që u paraqitën me videon e publikuar për rastin “Alfa”, që e sollëm ne si medium.

Sa më shumë dëshmi paraqiteshin, aq më shumë labirinte gjyqësore krijoheshin. Dyshimet e mbarë opinionit ishte se sjellja dhe pështjellja e rastit nëpër labirintet juridiko-gjyqësore bëhej me të vetmin qëllim që ai të mos ketë epilog të drejtë.

Goditje, që sollën deri te vrasja përfundimtare, ishin edhe të gjitha ato premtime për reforma në drejtësi, e që në fund rezultonin të rrejshme. Ato vrisnin vazhdimisht  shpirtin e çdo të burgosuri të pafajshëm, deri në momentin kur vdekja fizike më shumë vjen si lirim, se sa dënim.

Vrasja e ngadalshme, por e sigurtë, erdhi edhe si pasojë e kushteve të këqija nëpër burgje. Burgje që u ngjasojnë kazamateve të Hitlerit e Stalinit, ku të burgosurit jetojnë në kushte mizore.

Rexhaili u nda nga jeta, por ka edhe shumë shqiptarë që vuajnë dënime drakonike, deri në ato të përjetshme. Rasti i Rexhailit duhet të jetë mësim, që dënimi me burg të përjetshëm, në rrethana të dyshimta, mos të shndërrohet në dënim me vdekje.