Koment: Fati i Maqedonisë dhe Shqipërisë në duar të Kiril Petkovit dhe të Bullgarisë!

Shkup, 25 janar – Të mëdha janë pritjet nga takimi i sotëm në Sofje, respektivisht nga mbledhja e përbashkët e qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe asaj të Bullgarisë. Në aspektin ndërqinjësor, ky është kulmi i marrëdhënieve bilateral mes dy vendeve, prandaj edhe shpresat janë aq të mëdha. Është mbledhje rezultatet e së cilës priten me vëmendje të madhe jo vetëm në Shkup, por edhe në rajon dhe nga komuniteti ndërkombëtarë. Fryma e re e paralajëmruar me ardhjen e qeverive të reja në dy vendet, sot duhet të marë formë konkrete dhe nga mbledhja e dy qeverive të dalin konkluza, nga të cilat mund të parandjehet fundi i kontestit edhe nëse për një gjë të tillë nuk jepen afate zyrtare. Çdo detaj raporteve Maqedoni-Bullgari tani një kohë të gjatë përcillet edhe në Tiranë, për shkak se Shqipëria pret dritën e gjelbër nga Sofja për Shkupin, që bashkë me Maqedoninë e Veriut të fillojnë negociatat për anëtarësim dhe me hapjen e kapitujve që na presin.
Edhe Tirana me sy e veshë kah Sofja
Lirisht mund të themi se detajet e raporteve Maqedoni e Veriut –Bullgari javën e fundit në Tiranë përcillen me të njëjtën vëmendje dhe në të njëjtin nivel sikur në Shkup.
Kjo është për t’u kuptuar kur kemi parasyh se çdo vonesë e re për Maqedoninë e Veriut, sjell vonesë të re edhe për Shqipërinë, për shkak se burokracia evropiane si duket nuk është e gatshme për momentin të hapë negociata vetëm me njërin vend, e më vonë sërish me tjetrin, por mbi të gjitha për të mos shkaktuar dëshpërim të ri në Maqedoninë e Veriut me ndarjen nga Shqipëria.
Për këtë arsye edhe gjithandej thuhet se fati i Maqedonisë dhe Shqipërisë, për momentin është në duart e Kiril Petkovit dhe të Bullgarisë. Kuptohet se përgjegjësia jonë për procesin nuk duhet minimizuar, në kuptimin se nuk duhet t’i lejojmë vetes gabime, por Bullgaria ka shansin të tregojë lidership dhe zemërgjerësi në rajon, që për shkak të rrethanave historike e gjeostrategjike moti kohë nuk ka mundur ta tregojë.
Ka shumë tregues se negociatat kanë dalë nga shablloni i tre viteve të fundit, kur zhvilloheshin vetëm mes historianëve dhe vetëm rreth çështjeve historike e gjuhësore dhe kanë kaluar në nivelin më të lartë. Timonin e negociatave tani e kanë marë vetëtë kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov.
Brenda vetë një jave, ata nesër sërish do të kenë një takim kokë më kokë, pas çka pritet të ketë detaje për të ashtuquajturin Kapitull i ri në marrëdhëniet mes dy vendeve, të paralajmëruar përmes punës intensive të grupeve të punës të sapoformuara për ekonomi, infrastrukturë, kulturë dhe integrim evropian.
Maqedonia heq “veton” ekonomike, Bullgaria heq “veton” në Bruksel
Derisa Maqedonia e Veriut ankohet nga “vetoja” bullgare në Bruksel, Bullgaria nkohet nga “vetoja ekonomike” që Shkupi ka vendosur për kompanitë dhe biznesin bullgar që dëshiron të zgjerohet në vendin tonë.
Edhe në këtë drejtim priten gjërat të bien në “brazdë”. Nesër pritet ministrat e Transportit të nënshkruajnë edhe një marrëveshje për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Në delegacionin 14 anëtarësh të ministrave, mungon vetëm zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiç, i cili tha se është pozitiv me Covid 19.
Krerët e të dyja shteteve ritheksojnë se duhet fokusuar tek ekonomia, ndërsa historia të jetë në plan të dytë. Mirëpo që të mos krijohet përshtypje e gabuar rreth kësaj çështje, sot do të takohen edhe bashkëkryetarët e Komisionit të Përbashkët të Historisë, Dragi Gjorgjiev dhe Angel Dimitrov. Pikërisht për këtë komision shpesh përcillen deklarata se duhet ketë ndryshime në metodologji dhe përbërje dhe pritet që në vend të pesë herë në vit, ky komision të mblidhet çdo pesë javë.
Ministrat e jashtëm, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, theksuan se intensifikimi i dialogut do të çojë në një zgjidhje të pranueshme reciproke që do e zhbllokojë integrimin evropian të Maqedonisë.
“Gjatë takimit u shqyrtua gjendja aktuale e dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017. U diskutua edhe për përgjigjen e dorëzuar në dhjetor 2021 nga Maqedonia e Veriut ndaj propozimeve të Bullgarisë për pakon e çështjeve politike të ashtuquajtura “5 + 1”, thonë nga MPJ.
Në fillimtë vizitës, Kovaçevski dhe Petkov vendosën lule në monumentin e Luftëtarit të Panjohur, si dhe para monumentit të vëllezërve Kiril dhe Metodi. Të dy kryeministrat vizituan edhe Qendrën Kulturo-Informative Maqedonase, si dhe Universitetin e Sofjes, duke përçuar porosinë e qartë se kur ekziston vullneti për ardhmëri të mirë, historia nuk mund të bëhet pengesë./Zhurnal