Koment: A rritet rreziku nga Serbia në Ballkan, pas hyrjes së Rusisë në Ukrainë?

Shkup, 25 shkurt – Sado që Rusia është një superfuqi botërore, megjithatë pak kush ka pritur se Perëndimi do të reagojë kaq butë ndaj hyrjes së trupave ruse në Ukrainë.

Kjo për shkak se Ukraina konsiderohej si pikë e ardhshme e shtrirjes së NATO-s dhe BE-së në lindje dhe pikë e rëndësishme strategjike për izolim të ndikimit rus në pjesën tjetër të Evropës.

Sado që ndërhyrja ruse është vetëm në fillim dhe se vendet perëndimore po i japin përparësi mjeteve diplomatike dhe sanksioneve ekonomike, megjithatë çdo vonim në parandalimin e agresionit rus rrit pasojat e konfliktit për popullin ukrainas, por edhe inkuarojen regjimet autoritare në mbarë botën, për të vepruar njësoj ndaj vendeve më të dobëta fqinje, shkruan Zhurnal.

Nga këndvështrimi shqiptar, por edhe i disa popujve tjerë në Ballkan, si regjim autoritar konsiderohet edhe pushteti në Serbi. Për shkak se udhëhiqet nga një “pioner” i regjimit të Millosheviqit, ky pushtet si autoritar konsiderohet edhe nga vetë forcat demokratike opozitare serbe.

Për këtë arsye, një pyetje që rrin pezull në qiellin e mjegulluar ballkanik është nëse një suskes eventual përfundimtar i Putinit në Ukrainë, mund ta inkurajojë edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, për të ringjallë aspiratat ndoshta vetëm përkohësisht të heshtura serbe për krijimin e Serbisë së Madhe. Suksesi i invazionit rus në Ukrainë, sigurisht që do të ngjallte ëndërrat e vjetra në Beograd, që kishin filluar të myken në sirtarët e Akademisë serbe pas dështimit në luftërat e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar, por edhe pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik dhe dobësimit të të Rusisë kundrejt Perëndimit.

Hyrja ruse në Ukrainë po shihet edhe si fillim i ringjalljes së “Rusisë së Madhe”, e kjo padyshim se ngjall edhe shpresat për ringjallje të “Serbisë së Madhe”, dy nocione që janë të lidhura ngusht mes veti jo vetëm në aspektin teorik, shkruan Zhurnal.

E nëse Ukraina është në shënjestër të fillimit të krijimit të “Rusisë së Madhe”, atëherë kush do të ishte në shënjestër të veprimeve eventuale për krijim të “Serbisë së Madhe”?

Si pikë e parë e  pretendimeve të tilla eventuale me siguri do të ishte Kosova. Mirëpo sado që Vuçiq është “kalitur” në kohën e regjimit të Millosheviqit, ai e din se Kosova është një “kafshatë e pakapërdieshme” për Serbinë.

Këtë ia ka bë të ditur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i siguroi qytetarët se institucionet e sigurisë, duke filluar nga Policia e Kosovës me të gjitha njësitë e saj, e deri te strukturat inteligjente dhe Ushtria e Kosovës – e cila, siç tha, ka mandat që t’i mbrojë qytetarët, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, janë të përgatitur qe një kohë që të reagojnë në situata të ndonjë sulmi.

Sipas saj, tendencat për destabilizimin e rajonit tonë nuk kanë filluar sot, prandaj ka një kohë të gjatë që janë duke u bërë përgatitjet, planet operative dhe gjithçka tjetër që kërkohet nga institucionet tona të sigurisë, dhe ato e kanë përkrahjen e plotë të institucioneve politike.

Kjo nuk do të thotë që ne s’kemi nevojë për përkrahjen e partnerëve tanë në qoftë se përballemi me një agresion serb, i cili si shtet ka investuar jashtëzakonisht shumë në ushtrinë e vet këto vite me qëllim agresioni e jo mbrojtjeje”.

Nëse Serbisë i shkon mendja që ta sulmojë Kosovën, ata e dinë shumë mirë që nuk përballen vetëm me Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës, por përballen edhe me ushtrinë e NATO-s, sepse ushtria e NATO-s ka mandat të plotë që në raste të tilla ta mbrojë çdo cep të kufijve të Republikës së Kosovës, sidomos ato që janë në veri”, deklaroi shumë qartë Osmani.

Ajo shtoi se po ashtu i ka informuar partneret e Kosovës se në qoftë se Kosova sulmohet, në rast të sulmit në nivel agresioni dhe lufte, natyrisht që FSK ka mandat të plotë të veprojë në çdo cep të Republikës së Kosovës, prandaj është kushtetuta dhe janë ligjet ato që janë mbi gjithçka.

Krejt këto që i ka numëruar Osmani, i ka të qarta edhe Vuçiqi dhe krerët shtetërorë serbë dhe me siguri nuk do të provojnë të futen në ndonjë avanturë më të thellë, përpos se siç parashikojnë shumë njohës të rrethanave, mund të tentojnë të bëjnë provokime në pjesën veriore të Kosovës, e ndoshat edhe në pjesë të Bosnjes.///Zhurnal