Koment: A do të vdiste në burg Rexhail Qerimi po të kishte para dhe ndikim sa Rashkovski e Veljanovski?

Shkup, 3 shkurt – Gjykata e Apelit dje ka shfuqizuar masat e paraburgimit shtëpiak për Dragi Rashkovskin dhe për Trajko Veljanovskin, transmeton Zhurnal.
Në rastin me ish sekretarin gjeneral të Qeverisë, Dragi Rashkovski, gjykata ka pranuar garancën e ofruar prej 192,980 eurove në pasuri të patundshme. Rashkovskit i janë përcaktuar masa të përkujdesit dhe ai çdo të hëne duhet të paraqitet në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ndërsa njëkohësisht i është marë dhe pasaporta.
Trajko Veljanovski, ish kryetari i Kuvendit është në paraburgim shtëpiak për rastin e dhunës në Kuvend më 27 prill 2017, për çka Gjykata e pati dënuar me gjashtë vite dhe gjashtë muaj burg.

Në rastin e Rashkovskit dhe Veljanovskit gjykatat në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të të tregojnë “dobësi” ndaj atyre që kanë para, por edhe nda atyre që kanë pasur ndikim e pushtet në të kaluarën, që me siguri e posedojnë edhe tani.
Kurse shumë shqiptarë që janë të dënuar me dënme drakonike në raste që vlerësohen si raste të dyshimta politiko-gjyqësore, nuk kanë miliona euro. Ndoshta kjo është arsyeja se pse ende vuajnë dënimet në kushte të mjerueshme nëpër burgje.

Po të kishin para, gjykatat ndoshta do të tregonin shumë më shumë “zemërgjerësi” ndaj tyre. Ose po të kishin forcë politike. Mirëpo ata nuk e kanë as të parën, as të dytën dhe kjo ndoshta shtë pengesa që të kenë gjykim të drejtë dhe të gëzojnë lirinë.
Si do të reagonte për shembull Gjykata nëse Rexhail Qerimi do të kishte 11 milionë euro capital për t’i ofruar si garanci. A do të vdiste në burg, apo do të ishte në liri, është një nga pyetjet që parashtrohet.
E pa u bë as një javë nga vdekja e Rexhal Qerimit në burgun e Idrizovës, rasti i tij veçmë ka filluar të harrohet. Një test për mbamendjen tonë do të jetë marshi i nesërm që do të mahet në Shkup dhe masoviteti i pjesëmarrjes në këto protesta. Do të jetë një test që do të tregojë nëse ne dimë të shprehim revoltë ndaj gjykatave që si duket vlerësojnë më shumë paranë, se sa drejtësinë.

Lirimi i të arresturëve që ofrojnë garanci të majme financiare nuk ka filluar me Rashkovskin.
Fillimisht, në fillim të këtij viti u lirua ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov duke ofruar garanci financiare prej mbi 11 milionë euro për të ulur masën e kujdesit nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Pasi ka ofruar këtë garanci, Gjykata ka vendosur që Sasho Mijallkovin ta obligojë me paraqitje, e kjo nënkupton që Mijallkov nuk qëndron as në arrest shtëpiak.Ai ka vetëm obligim për paraqitje një herë brenda javës.
Mijalkov ishte në paraburgim në Burgun e Shkupit që nga 26 shkurti. Ai u dënua me 12 vite burg për çështjen “Target – Kala” për përgjime të paligjshme dhe me 8 vite burg për çështjen “Thesari. “Titanik 2” dhe “Tortura” janë në gjyq, i cili është në prag të vendimit. Më 12 maj të këtij viti, prokuroria ka ngritur aktakuzë për rastin “Parcelat në Vodno”, ku në mesin e të dyshuarve është edhe Mijalkov.

Pak më vonë edhe biznesmeni Orce Kamçev, i cili u akuzua në rastin “Parcelat në Vodno” doli nga paraburgimi.
Këshilli penal i Gjykatës së Apelit vendosi që ta pranojë garancën për Kamçevin prej gati 11 milionë euro, ndërsa dokumentet e tij të udhëtimit mbeten në gjykatë, ku duhet rregullisht të paraqitet.
Pasi përfunduan procedurat për regjistrimin e hipotekës, Kamçevi tashmë mbrohet në liri.
Ai ishte në paraburgim nga marsi i vitit të 2021, kur u arrestua me dyshim se po përgatitet për arrati.
E deri sa atyre u pranoheshin garancitë shumë milionëshe, Gjykata Supreme në Maqedoninë e Veriut vendosi që mos të ketë rigjykim për rastin e Kumanovës, vendim që jo vetëm nga avokatët e tyre, por edhe nga një pjesë e madhe e opinionit u vlerësua si shkelje flagrante e ligjit, pasi nuk është marrë parasysh asnjë provë e palës mbrojtëse.

Tani shpresat e pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës, familjarëve të tyre, por edhe të avokatëve mbrojtës janë te Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në Strasburg, sepse duhet të kalojë edhe shumë kohë që në Maqedoni të ketë drejtësi në kuptimin e plotë të fjalës. /Zhurnal