Koment: A do të sjellë Qeveria e re “nafakë” të re për qytetarët, apo vetëm për ministrat?

Shkup, 17 janar – “Besoj se do ta përgatisim vendin tonë për kohën e re. Të gjithë qytetarëve u dëshiroj shëndet të mirë, paqë dhe qetësi në familjet e tyre. Premtoj se do të bëjmë gjithçka për ta arsyetuar besimin e qytetarëve. Po vjen kohë e re, kohë më e mirë, rrofshin qytetarët, rroftë Maqedonia e Veriut”.

Kjo është një pjesë e fjalimit të parë të Dimitar Kovaçevskit, tani zyrtarisht edhe kryeministër i Maqedonisë së Veriut, pasi me 62 vota mori shumicën e nevojshme në Kuvend, bashkë me anëtarët e kabinetit të tij qeveritar. Edhe pse mandati i fillon me ca telashe, për shkak se nuk e votuan dy deputetë të partive që përbëjnë shumicën (Izet Mexhiti i BDI-së raportohet se nuk votoi shkaku i vërejtjeve që ka ndaj Artan Grubit dhe Bujar Osmanit, kurse për Lolita Ristovën e LSDM-së raportohet se nuk votoi për shkak se është pozitive me COVID), ishte për tu pritur se fjalimi i i parë u kryeministrit të ri do të përmbajë frymë optimiste dhe shpresëdhënëse. Ose siç thotë populli, “Ditë e re nafakë e re”, e në këtë rast mund të thuhet “Qeveri e re, nafakë e re”.

Pyetja është se për këtë do të sjellë fat (nafakë) qeveria e re?

Nuk ka ka dyshim se sa do që të zgjasë mandati i këtij kabineti, sepse ekzistojnë shumë dilema për jetëgjatësinë e tij, qeveria do të sjellë fat edhe për ministrat, zëvendës ministrat dhe drejtorët e rinj, edhe për ata që mbijetuan. Së paku edhe ca kohë do të kenë rroga të majme, vetura zyrtare, mëditje, paushalle, reprezentacione, ndikim…, si dhe gjitha beneficionet zyrtare dhe jozyrtare që shkojnë me postet ministrore në një vend si Maqedonia e Veriut.

E kur parashtrohet pyetja nëse Qeveria e re do të sjellë “nafakë të re” për qytetarët, atëherë përgjigja është më e ndërlikuar. Bontoni thotë se çdo kabinet qeveritar meriton që 100 ditët e para të kursehet nga kritikat, prandaj as ne nuk do të bëjmë kritika direkte përmes këtij komenti ndaj qeverisë së Kovaçevskit në ditën e parë të saj. Do t’i kursejmë edhe ca kohë. Mirëpo do të analizojmë traditën politike në vendin tonë, që tregon se çdo kryeministër dhe qeveri vjen me premtime të shumta e shpeshherë largohen me dështime edhe më të shumta.

A do të jetë ndryshe në fund të mandatit të Kovaçevskit dhe qeverisë së tij? Shpresojmë se nuk do të jetë, por vend për optimizëm nuk ka shumë. Për qytetarët e thjeshtë mbeten hallet e vjetra, por tani të shtuara dhe plotësuara me shumë halle të reja. Në kohë kur pandemia globale ende nuk ka kaluar, goditja nga inflacioni në të gjitha lëmitë jetësore po bëhet e padurueshme. Kriza energjetike po e bën të veten, si rrallëherë më parë. Çmimet rriten vazhdimisht, rrogat ngecin. Stacionet e autobusave dhe aeroportet janë çdo ditë e më tepër të mbushuara me të rinj që kanë humbur shpresën këtu dhe ardhmërinë e kërkojnë në vende tjera. Pas vete po lënë vendlindjen, që dita ditës po zbrazet nga njerëzit e saj më të aftë. Strategjitë e premtuara për ndërprerjen e këtij fluksi mbeten në letër, kurse në praktikë nuk japin rezultate.

As në aspektin politik fillimi i mandatit të kryeministrit të ri nuk është fort i mbarë. Mosvotimi nga njëri prej figurave më të rëndësishme të BDI-së, Izet Mexhiti, hapë shumë dilema për fatin e kësaj qeverie. Mexhiti llogaritet si njeriu i dytë për autoritet tek anëtarësia pas kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, kështu që nëse përplasjet vazhdojnë, nuk është shumë e qartë se si do të lëvizin numrat pro qeverisë.   

A ka dritë në fund të tunelit?

Si një dritë në fund të tunelit, jo vetëm për qeverinë, por edhe për vendin, po shihen shpresat e reja që janë paraqitur për zgjidhje të problemit me Bullgarinë fqinje dhe mundësia për fillim sa më të shpejtë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Procesi i anëtarësimit të plotë me siguri se do të marrë edhe shumë kohë, por vetë fillimi i negociatave do të jetë një sinjal pozitiv si për rininë që të mos largohet nga vendi, poashtu edhe për kompanitë e huaja se Maqedonia e Veriut është një vend që ofron siguri dhe mundësi për zhvillim të bizneseve të tyre. Kjo do të ketë reflektim të përgjithshëm pozitiv, diçka që po mungon gjatë tërë kësaj periudhe sa po zvarritet fillimi i negociatave shkaku i vetos bullgare.

Krejt kjo tregon se kryeministri Kovaçevski do të përballet me situatë të njëjtë si politikanët shqiptarë në vitin 2001, e që më së miri e pat përshkruar kryetari tashmë i ndjerë i PDSH-së, Arbër Xhaferi, kur patë thënë se ekziston rreziku që në mbrëmje jemi heronj, e në mëngjes të zgjohemi si tradhtarë. Mirëpo fjala popullore thotë: “Asnjëherë nuk e din sa je i fortë, deri në momentin kur nuk ke zgjidhje tjetër përveç se të jesh i fortë”. Mundësia e vetme e Kovaçevskit si kryeministër i ri është që të jetë i fortë, i gatshëm për kompromis që do të sjellë deri te zgjidhja e problemeve, e ndër ta është edhe problem me Bullgarinë. Tonet që vijnë nga Sofja tregojnë se atje ka gatishmëri për të gjetur një kompromis më të volitshëm se sa që kërkonte qeveria e kaluar. Vizita e nesërme e kryeministrit bullgar, shpresojmë se do ta dëshmojë këtë. Çdo mundësi për gjetje të zgjidhjes duhet analizuar edhe nga aspekti i asaj që duhet dhënë, por edhe nga aspekti i asaj se çka përfitojmë. Gjetja e një balansi optimal, do të ishte hapi i qëlluar i Kovaçevskit dhe kabinetit të tij, për të cilin do të ishin falënderues edhe gjeneratat e tanishme edhe ato të ardhshme. ///Zhurnal