Koment: A do ta ketë Vesel Memedi “këmbën e lehtë” në diplomaci?
Shkup, 2 shkurt – Vesel Memedi dje edhe zyrtarisht mori detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Republikën Italiane, me seli në Romë . Më datë 01.02.2022 në ambientet e Ambasadës u bë pranim-dorëzimi me drejtorin aktual të punëve Zvonimir Popovic.
Memedi e mori detyrën disa muaj pasi është përmendur dhe është caktuar ambasador. Ai do të jetë kryediplomati ynë në një kryeqendër evropiane, ku ëndërrojnë të shërbejnë shumë e shumë diplomatë në Maqedoninë e Veriut. Memedi mori këtë detyrë jo si diplomat karriere, respektivisht jo si i punësuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por si politikan dhe profesor universitar. Italia është një vend mik dhe i rëndësishëm, përkrahës i proceseve tona eurointegruese, shkruan Zhurnal.
Me rastin e marrjes së detyrës së re, Vesel Memedi për një çast u rikthye në qendër të vëmendjes së opinionit, pas një kohe relativisht të të gjatë mungese . E rikthimi i Memedit, ka rikthyer në qendër të vëmendjes edhe në problem tjetër që preokupon diplomacinë e vendit tonë, e ajo është vendet e paplotësuara të ambasadorëve. Athua Memedi do ta ketë “këmbën e lehtë”, apo do ta “tërheqë këmbën zhag” dhe do të hapë rrugën për emërimin e ambasadorëve tjerë, mbbetet të shohim! Karriera e tij politike ishte herë me batiza, e herë me zbatica, por në diplomaci ndoshta mund të ketë karrierë ndryshe.
Këtë problematikë, pikërisht dje e ka prekur edhe ministri i jashtëm Bujar Osmani, duke theksuar se plotësimi i vendeve vakante të ambasadorëve është prioritet i politikës së jashtme dhe për këtë posaçërisht është shprehur i gëzuar që Ambasadori i ri i Maqedonisë së Veriut në Republikën e Italisë, Vesel Memedi do të fillojë në mënyrë aktive ta kryejë funksionin e tij.
Poashtu është paralajmëruar se këto ditë duhet të plotësohen vendet e ambasadorëve në Indi, Itali, Rusi dhe Austri.
Kurse në “kontingjentin” e fundit diplomtik vitin e kaluar, ambasador i ri në Danimarkë është emëruar Faton Bejta, në NATO – Dane Taleski, në Katar – Shaban Jashari, në Zhenevë – Teuta Agai Demjaha, në Shqipëri – Danço Markovski, në Kazakistan – Sali Limani, në Kosovë – Shpresa Jusufi, dhe në Vatikan – Marija Efremova.
Edhe përskaj këtyre emërimeve të numërta, mbeten edhe më tej vende vakante në shtete dhe organizata me rëndësi të veçantë për Maqedoninë e Veriut, në mesin ë të cilëve janë edhe ai në Uashington, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Sofje, e kështu me radhë.
Me të vërtetë është një vakum i madh që ën këto momente të rëndësishme, por edhe me shumë sfida në nivel evropian, e planetar, Maqedonisë së Veriut i mungojnë ambasadorë në kryeqendrat më të rëndësishme.
dhe krejt kjo ndodh për shkak të inateve politiko-partiake, sepse shumë emra kanë ngecur në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme. As pushteti, e as kryetari i këtij komisioni, Antonio Milloshovski i VMRO-DPMNE-së, nuk lëshojnë pe dhe nuk vërehet se një gjë e tillë mund të ndodhë në afat më të shkurtër.
Përveç në komision parlamentar, çështja ka ngecur edhe në nivele tjera. Për shembull, Lubomir Fërçkovski i nominuar për ambasador në Uashington, nuk mori akreditimie nga vendi nikoqir, SHBA-të. Ishte ky një lëshim dhe dështim mjaft serioz i diplomacisë sonë, të propozohet kandidat i cili do të refuzohet nga superfuqia botërore. Qarkulluan pastaj edhe disa emra tjerë, mes të cilëve edhe emri i ish ministres së Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe zëvendës kryeministrit të deri djeshëm për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov. DImitrov edhe vetë e konfirmoi se i është ofruar kjo pozitë, duke thënë se e ka refuzuar, pasi që ka vlerësuar se bëhet fjalë për tentim që t’i “mbyllet goja” në bisedimet me Bullgarinë, duke shprehur edhe dyshimet e veta lidhur me këto bisedime, shkruan Zhurnal.
Fërçkovski u përmend sërish si ambasador i mundshëm për në selinë e OKB-së, por si duket as atje nuk do të shkojë. Edhe në Sofje u paralajmërua emërimi i ambasadorit të ri brenda disa ditëve, por po bëhen shumë ditë (gati dy javë), e kjo ende nuk është bërë. Në momentin kur bisedimet mes dy vendeve morën një hov të ri, është joserioze të mos kemi ambasador në Sofje edhe pse ambasadorit të fundit, Marjan Gjorçev i ka përfunduar mandati në vitin 2020. Po të kishim ambasador fuqiplotë, kuptohet se edhe komunikimi do të ishte më intenziv, me çka do të shtoheshin gjasat edhe për zgjidhej më të shpejtë. Tani gjitha çështjet, duke përfshirë edhe ato teknike, duhet të bisedohen në nivel kryeministrash dhe ministrash, me çka humbet në masë të madhe dinamika e dëshiruar e bisedimeve.
Kurse tani kur vendi gjendet mes dilemës nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, ose jo, plotësimi i vendeve vakante në diplomaci sërish mund të kalojë në plan të dytë e të tretë. E deri sa të krijohen rrethana që kjo çështje sërish të vijë në rend dite, kush e din edhe sa vende tjera ambasadorësh mund të zbrazen deri atëherë. Shpresojmë se politika do të vetëdijesohet për urgjencën e kësaj çështje dhe nuk do të lejojnë që të krijohen edhe shumë vrima të reja në diplomaci, pa u mbuluar ato të vjetrat.
Biografia e Vesel Memedit
Meqë këtë koment e filluam me Vesel Memedin, edhe po e mbyllim me biografinë e tij, e cila deri tani ka qenë politike dhe universitare, kurse që tani e në tre vitet e ardhshme, do të jetë në diplomaci:
Vesel Memedi ishte kryetar i partisë RDK.
Ai u lind më 12.9.1974, në Gostivar) është një politikan shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2016, Vesel Memedi kandidoj si pjesë e RDK-së dhe u zgjodh deputet i legjislaturës 2016-2020 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Vesel Memedi ka kryer studimet deridiplomike në psikologji në Kuala Lumpur të Malajzisë, kurse ato postdiplomike, dy magjistratura, në Leeds, Britani e Madhe, në psikologjinë kualitative, dhe Amsterdam, Holandë, në komunikimin e të folurit dhe retorikë, ka doktoruar poashtu në të njëjtën fushë në Amsterdam të Holandës.
Vesel Memedi ka fituar edhe çmimin prestigjioz Fulbright Visiting Scholar në Universitetin Columbia, në Nju Jork, SHBA. Vesel Memedi ka ligjëruar si professor i lëndëve psikologjike dhe komunikimit të të folurit, në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, në Universitetin e Tetovës, si dhe në Universitetin Amerikan të Kosovës, për 12 vite. Përfshirja e Vesel Memedit në jetën publike dhe politike zë fill me iniciativën e pavarur të zgjedhjeve lokale të vitit 2009, ku për dy mandate ka qenë i zgjedhur si këshilltarë në Këshillin e Komunës së Gostivarit. Në vitin 2015 zgjidhet kryetar i subjektit politik Rilindja Demokratike Kombëtare.
Në zgjedhjet parlamentare tëvitit 2016 zgjidhet deputet në Kuvendin Republikan. Gjatë këtij mandati parlamentar, Vesel Memedi zgjidhet edhe Nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Poashtu, duhet theksuar se gjatë këtij mandati parlamentar, Vesel Memedi ka shërbyer në shumë komisione dhe delegacione parlamentare, si zëvendës kryetar i Komisionit për Çështje Evropiane, Komisioni për Çështje Juridiko-Ligjore, Komisioni për Sistem Politik, etj, ndërsa ka spikatur në delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s.
Pas gati dy vite e gjysëm në pushtet, për shkaqe parimore, Vesel Memedi dhe bashkëmendimtarët e tij nga Rilindja Demokratike Kombëtare, lëshojnë qeverinë dhe japin dorëheqje nga të gjitha funksionet ekzekutive dhe publike. Vesel Memedi ka qenë mjaft aktiv në organizimin e jetës sportive në Gostivar dhe më gjërë, ku për një periudhë të gjatë kohore shërben si kryetar i klubit futbollistik Rinia dhe Gostivari. ///Zhurnal

