Koçiu ndan mesazhet e qytetarëve: Kushte moderne dhe profesionalizëm tek Pediatria e Specialiteteve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, ndau në rrjetet sociale pamje nga Pediatria e Specialiteteve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT).

“Vogëlushët që marrin shërbim në Pediatrinë e Specialiteteve në QSUNT trajtohen sot në kushte moderne, me kujdes dhe profesionalizëm. Investimet në shëndetësi bëjnë diferencën aty ku ka më shumë nevojë, te fëmijët tanë”, shprehet ministrja Koçiu.

Ministrja ka sjellë zërin e nënave që gjenden me vogëlushët e tyre në këto mjedise spitalore.

Ato rrëfejnë se kushtet janë shumë të mira dhe nuk u mungon asgjë.

Përveç kushteve e higjienës, prindërit e pacientëve të vegjël shprehen falenderues e të kënaqur edhe me shërbimin e stafit mjekësor.

“Këtu është shërbimi më i mirë se atje. Ambienti më i pastër. Kushtet janë shumë të mira” shprehet nëna e një fëmije.

Ndërsa një prind tjetër jep një vlerësim maksimal ku thotë se: “nga 1 në 10, unë do thoja 20. Jemi pa fjalë për stafin dhe korrektësinë që kanë”.

Investimi ka mundësuar që përveç rritjes së kujdesit shëndetësor për fëmijët, të ketë kushte të përshtatshme qëndrimi edhe për prindërit që janë të detyruar të qëndrojnë aty për kohë të gjatë.

Spitali i Pediatrisë së Specialiteteve e organizuar në 5 kate ofron shërbime në Nefrologji dhe Dializë Pediatrike, Shёrbimi i Laboratorit tё Gjenetikёs Klinike, Shërbimi i Onkohematologjisë, Shërbimi i Specialiteteve 2 për neuropsikiatri, gastroenterologji, endokrinologji dhe okulistikë, Shërbimi i Specialiteteve 1 Pneumo-alergologji, Shërbimi i Kirurgjisë Infantile, Njësia e Konsultave Pediatrike si dhe Njësia e Rehabilitimit Fizik (fizioterapia).

Spitali ka një kapacitet prej 140 shtretërish ku parashikohen rreth 35000 konsulta në vit, mbi 24500 ekzaminime të tjera specifike (eko, ct, grafi, timpanografi, spirometri, audiograme etj) dhe mbi 5000 ekzaminime laboratorike përmes konsultës ambulatore pediatrike.