Kërkesa për zgjedhje të parakohshme, Selmani: S’na duhen zgjedhje që nuk zgjidhin asgjë
Shkup, 4 Maj – Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë të mendojë për zgjedhje të parakohshme parlamentare, vlerësoi profesori universitar, Bashkim Selmani, në “Argument” në MTV2. Sipas tij, ish-VMRO-së dhe VMRO-ja aktuale nuk dallojnë nga njëra-tjetra dhe i vetmi “specialitet” i tyre janë zgjedhjet. Selmani thotë se tani është koha të zgjidhen problemet e jo të fokusohemi në zgjedhje që nuk zgjidhin asgjë.
“Edhe po të ketë zgjedhje të reja, me ardhjen e VMRO-DPMNE-së unë besoj se akoma më shumë do të përkeqësohet situata. Nëse ato i mbajnë qëndrimet që aktualisht i shprehin, pra akoma më shumë do ta vështirësojmë situatën. Pra, kjo periudhë që ka mbetur duhet më shumë t’i japim energji pozitive për t’i zgjidhur problemet dhe jo të mendojmë në zgjedhje sepse ato nuk zgjidhin gjë. Është një situatë e papranueshme që ne të mendojmë për zgjedhje.”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
Aliti: VMRO-DPMNE vë interesin grupor mbi atë shtetëror
Për analistin politik, Faton Aliti, vetë paralajmërimet e VMRO-DPMNE-së nuk janë të definuara mirë dhe të qarta.
“Paralajmërimi ishte se nëse nuk do të ulemi të merremi vesh për zgjedhjet e parakohshme, atëherë do të ndodhë diçka që është e paparë deri më tani në Maqedoni, pra nuk kishte diçka konkrete. Çka nënkupton me atë të paparë, pra çka nuk kemi parë? Protesta në rrugë kemi parë, protestat e sindikatave i kemi parë, përleshje kemi parë, dëbim deputetësh nga Kuvendi kemi parë, sulmin në Kuvend e kemi parë. Mendoj se absolutisht nuk kemi nevojë për zgjedhje të parakohshme, sepse mua më lënë përshtypje sepse nuk e kanë interesin shtetëror para, por kanë interesin grupor.”,- theksoi analisti, Faton Aliti.
Analistët vlerësojnë se zgjedhjet e parakohshme, jo vetëm që rëndojnë buxhetin në këtë kohë krizash, por do të defokusonin edhe përqendrimin rreth tejkalimit të dallimeve me Bullgarinë dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

