Kellogg: Aktualisht jemi vetëm në nivelin e tretë nga dhjetë e sanksioneve ndaj Rusisë

Presidenti amerikan, Donald Trump është i gatshëm të dyfishojë sanksionet për ta detyruar Rusinë të ndalojë luftën kundër Ukrainës, tha i dërguari special për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg.

Ai përmendi se sanksionet ndaj Rusisë aktualisht janë “vetëm në nivelin e tretë në një shkallë prej dhjetë pikësh sa i përket intensitetit të presionit ekonomik”.

“Mund t’i rrisim ndjeshëm sanksionet, veçanërisht ato më të rejat. Dhe nëse ka dikë që e kupton këtë levë presioni, ai është presidenti Donald Trump, dhe këtë mund ta shihni nga ajo që ka bërë kohët e fundit në zgjidhjen e problemeve të tjera ndërkombëtare”, deklaroi Kellogg.

Ky i fundit konfirmoi se gjatë javës së kaluar, Trump ka mbledhur të gjithë ekipin e këshilltarëve dhe anëtarëve të kabinetit për të gjetur mekanizma dhe instrumente të rinj për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, shkruan nypost.

“Zgjidhja e luftës ruso-ukrainase është vërtet një përparësi për të gjithë administratën, pra një qasje e të gjithë qeverisë. Ne kemi formuar një ekip për sigurinë kombëtare të përbërë nga presidenti, nënpresidenti, këshilltari për sigurinë kombëtare, sekretarët e shtetit dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, të cilët punojnë së bashku”, shtoi zyrtari amerikan.

Ai shtoi se Ukraina duhet të mbajë presionin ushtarak ndaj Rusisë derisa të fillojnë negociatat dhe kritikoi qasjen e ish-presidentit amerikan, Joe Biden, i cili ishte zotuar se do ta ndihmonte Ukrainën “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”.

“Duhet të ushtrosh presion ekonomik, presion diplomatik, një lloj presioni ushtarak dhe të përdorësh levat nën të për të siguruar që kjo të shkojë aty ku duam”, përfundoi Kellogg.