KB: Shkallë e lartë rekorde e urisë në Afganistan

Shkalla e urisë në Afganistan është në nivel të lartë rekord, ndërsa gjysma e vendit po përballet me uri të fuqishme gjatë vitit, deklaroi sot zëdhënësi i Programit botëror për ushqim i Kombeve të Bashkuara, Filip Kropf.

Ai shtoi se shtatë milionë fëmijë nën pesë vjeç dhe nëna janë të paushqyer në vendin me 40 milionë banorë.

Organizatat humanitare u ndihmojnë afganëve me ushqim, arsimim dhe në shëndetësi, por edhe me ngrohje, para për derivate dhe veshmbathje të ngrohtë. Por, distribuimi ishte goditur seriozisht nga ndalesa e grave në Afganistan të punojnë në organizata shtetërore dhe ndërkombëtare joqeveritare.

Ndalesa erdhi në kohën më të keqe të mundshme. Familjet dhe bashkësitë nuk dinë prej nga vjen shujta e tyre e radhës, theksoi Kropf.

Programi botëror për ushqim i rriti dërgesat para dimrit, por puna e tyre është vështirësuar për shkak të faktit se 19 organizata joqeveritare partnere e ndalën punën në vend për shkak të ndalesës së talebanëve.

Pas vendimit për ndalesë të miratuar më 24 dhjetor të vitit të kaluar, 115 nga 437 ambulanca mobile shëndetësore ndaluan së punuari, me ç’rast u goditën 82.000 fëmijë, gra shtatzëna dhe lehona. Programet me të cilat dërgohet ushqim në shkolla, gjithashtu u ndërprenë, që ndikoi tek 616.000 nxënës.

Sanksionet kundër liderëve talebanë, transferet e suspenduara mes bankave dhe miliarda rezerva financiare të ngrira në Afganistan e kufizuan qasjen drejt institucioneve ndërkombëtare dhe paratë nga jashtë, prej të cilave varej ekonomia e vendit para tërheqjes së forcave të SHBA-së dhe NATO-s.