KB: Bota shkon drejt “katastrofës klimatike”
Bota shkon drejt “katastrofës klimatike”, paralajmëroi KB-ja në raportin e publikuar sot, i cili tregon se sa larg janë në të vërtetë vendet nga planet e tyre të përcaktuara dhe “të papërshtatshme” klimatike.
Në raportin e Programit për mjedis jetësor të KB-së (UNEP) paralajmëron për një hendek të madh midis veprimeve të nevojshme për të kufizuar rritjen e temperaturave globale për të shmangur efektet më të këqija të ndryshimeve klimatike dhe asaj që vendet po bëjnë dhe çfarë kanë premtuar të bëjnë.
Politikat aktuale të klimës çojnë në një ngrohje prej 2.8 gradë Celsius dhe planet e vendeve për dekadën e ardhshme do të çonin në një rritje të temperaturës prej 2.4 në 2.6 gradë Celsius.
Koha për ndryshime në rritje ka mbaruar dhe “vetëm një transformim themelor i ekonomive dhe shoqërive tona mund të na shpëtojë nga një katastrofë e përshpejtuar klimatike,” paralajmëroi drejtoresha ekzekutive e UNEP, Inger Andersen.
Në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për klimën e vitit 2015, vendet u zotuan të ndërmarrin veprime për të reduktuar emetimet e gazeve serrë për të kufizuar ngrohjen globale nën 2 ose 1.5 gradë Celsius.
Bota tani më po përballet me përmbytje, stuhi, valë të nxehti dhe zjarre pyjore më të shpeshta dhe nëse tejkalohet kufiri i ngrohjes prej 1.5 gradë Celsius, priten ngjarje ekstreme të motit edhe më shkatërrues.
Planet për klimën, të njohura si Kontributet e Përcaktuara Kombëtare (NDC), vlerësohet të reduktojnë emetimet globale me pesë deri në 10 përqind deri në vitin 2030, ose tre deri në gjashtë miliardë tonë, krahasuar me politikat aktuale.