Kalaja e Orashës– thesar mijëvjeçar që po shuhet në heshtje!

Shkruan: Afrim Ramadani

Të nderuar, sot dua të ndaj me ju një shqetësim të madh që ka të bëjë me kalanë tonë legjendare. të njohur si kalaja e Nicës.

Kalaja e Orashës po zhduket para syve tanë!

  A do të qëndrojmë indiferentë?

Ky  simbol i historisë dhe krenarisë së Pollogut, ndodhet në një gjendje të mjerueshme, mos të them apokaliptike. Ky monument mijëravjeçar, dëshmi e identitetit tonë kulturor, po shkatërrohet dita-ditës si nga faktori natyror: ndryshimet klimatike,  erozioni, tërmetet, lagështia, myku, rënjët e drunjëve, poashtu edhe nga ai njerëzor: vandalizmi, ndërtimet pa kontroll, ndërhyrjet jo profesionale, turizmi i pakontrolluar,…,mospërkujdesja nga autoritetet përgjegjëse.

 Për fat të keq, unë, ti, ai,…,ato, fshati, komuna, posaçërisht institucionet shtetërore nuk po tregojmë asnjëfarë kujdesi apo përgjegjësie për ta ruajtur këtë thesar shumë të çmuar dhe të pazëvendësueshem. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, kjo kështjellë, nga një një “zonjë hijerëndë”, është kthyer në një gërmadhë trishtuese.

 A do ta lëmë historinë tonë  të rrënohet?

 Ky  tempull nuk është thjesht një relikt i së kaluarës, por themel i identitetit dhe një burim zhvillimi për të ardhmen. Ky shembull nuk është vetëm një problem lokal – është një thirrje për të gjithë ne, që të vetëdijësohemi për rëndësinë e kësaj bukurie magjike dhe të veprojmë për ta ruajtur. Nëse e humbasim këtë stoli madhështore, kemi humbur një pjesë të personales, të vetes.

Çështja është imediate!

 Të lëmë hipokrizinë e skajshme dhe të bëhemi realë. Të mos i bëjmë hile kalasë tonë të shkretë dhe të anatemuar. Të mos fotografohemi dhe inçizojmë mbi murret e saja të shkatruara, se gjoja e duam shumë. Të mos themi fjalë të mëdhaja dhe të shkraujmë vargje melankolike, vetëm pse duam të shkruajmë. Të mos hamë flija të majme dhe qebapë të shijshëm, duke i hudhur dhe lënë mbeturinat mbi gjelbërimin e saj mahnitës.

 Pse heshtin institucionet adekuate shtetërore – misticizëm i skajshëm?!

Athua vallë i gjithë ky është një skenar i parapërgatitur mirë? Athua vallë e gjithë kjo është një regji me prapavijë qëllimkeqe? A është dëshirë e dikujt, që kësaj kalaje në një të ardhme shumë të afërt, ti humbin gjurmët. Është shumë e dhimbshme për mua, por edhe për ju, megjithate situata në terren i dëshmon fjalitë e paragrafit në fjalë.

 Ku është kushtrimi? Çfarë duhet bërë?

Këtu nevojitet ndërgjegjësim i lartë publik dhe angazhim i fuqishëm  institucional për të shpëtuar atë që ende mund të shpëtohet. Kalaja e Orashës nuk meriton të mbetet në harresë, të rrënohet në heshtje  – ajo ka nevojë për vëmendje, përkujdesje dhe respekt.

  Poqese nuk veprojmë urgjentisht, por mbetemi spektatorë pasivë,“mbretëresha e heshtur e shekujve” së shpejti do të gjendet në greminë, ndërsa të jemi më se të sigurtë, se për këtë do të përgjigjemi përpara Zotit!

 Është koha të veprojmë, dhe të  mos meremi me gjepura dhe broçkulla!

Acta, non verba!