Jepet paraburgim për 14 persona nga Tetova, të dyshuar për shitje të drogës, prostitucion dhe larje të parave

Të gjithë të arrestuarit një ditë më parë në rajonin e Tetovës dhe Ohrit përfunduan në paraburgim. Gjykata i pranoi propozimet e Prokurorisë për Krim të Organizuar për 14 paraburgime, nga të cilët një është në arrati. Para masës së paraburgimit, inspektori i policisë, i cili ishte pjesë e grupit kriminal, është pezulluar.

Disa ditë më parë në Tetovë u shkatërrua një grup i cili, sipas policisë, kishte qenë i paprekshëm për 20 vjet. U kryen bastisje në bare dhe kazino, dhe u konfiskuan para dhe sasi droge.

Grupi i shkatërruar ishte themeluar dhe mirë organizuar nga një burrë 35-vjeçar nga fshati Bogovinë i Tetovës, për të cilin, sipas televizionit Alsat, dyshohet se është personi me inicialet H.A., i ndihmuar nga vëllai i tij A.A. si dhe një inspektor i lartë në policinë e Tetovës nga i njëjti fshat me inicialet F.Ç. Grupi vepronte në disa fusha në rajonin e Pollogut dhe në disa qytete të tjera të vendit, duke përfshirë organizimin e klubeve të striptizit, kazinove, klubeve të natës, tregtinë me drogë përmes prodhimit dhe hedhjes në treg, si dhe prostitucionin. Aktiviteti i prostitucionit ishte përqendruar kryesisht në Ohër, në kazinonë STAR, ku gjatë bastisjeve u kapën edhe disa shtetase të huaj.

Në Tetovë funksionojnë disa kazino, klube striptizi dhe klube nate me muzikë live, por sipas informacioneve nga televizioni Alsat, përveç këtyre bizneseve, veprimtaria kryesore e paligjshme e grupit ishte edhe tregtia e drogës. Përveç konsumatorëve të rregullt, drogë jepnin edhe për vajzat që punonin në klubet e natës dhe ato që përdoreshin për prostitucion, të cilat sipas policisë ishin kryesisht nga Ukraina, Moldavia, Rusia, Serbia dhe Shqipëria. Sipas burimeve nga policia, vajzat megjithëse qëndronin dhe punonin pa status të rregulluar ligjor, ato lëviznin lirshëm si në fshatrat e Pollogut ku punonin, ashtu edhe në qytetet Tetovë dhe Ohër.

Sipas organeve hetimore, anëtarët e grupit të organizuar kriminal ishin të njohur për organet e ndjekjes penale dhe në dosjet e tyre ka edhe shumë vepra të tjera penale për të cilat në këtë procedurë pritet zgjerimi i hetimeve.