Jep dorëheqje deputeti i partisë së Daçiqit që u filmua duke shikuar pamje pornografike në telefonin e tij

Deputeti i Partisë Socialiste të Serbisë, Zvonimir Steviq ka dhënë sot dorëheqje nga pozita e tij si deputet.

Dorëheqja e tij vjen pasi në media dhe rrjete sociale ka qarkulluar një video në të cilën është thënë se ai ka shikuar “filma për të rritur” gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, në të cilën flitej për Kosovën, përcjell Telegrafi.

Kryetari i SPS-së, Ivica Daçiq, tha më herët gjatë ditës së sotme se pret që Steviq, të japë dorëheqjen.

Siç kanë raportuar mediat serbe, në video, deputeti Steviq – nga partia e Ivica Daçiqit – shihet duke mbajtur një telefon nën stolin e parlamentit në të cilin po shikonte pamje pornografike.

Videoja – që është bërë virale – është shfaqur në Twitter, por nuk është thënë koha kur është realizuar.

Megjithatë, disa media të tjera në Serbi shkruajnë se bëhet fjalë për pamje që janë marrë gjatë një seance të Kuvendit të Serbisë në të cilën është diskutuar për Kosovën.

Siç thuhet në biografinë në ueb-faqen e Parlamentit të Hapur, Zvonimir Steviq ka qenë deputet deri më tani gjashtë herë.

Ai thuhet se ka lindur në Prishtinë dhe ishte pjesë e grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS) dhe anëtar i “Komisionit për Kosovë” në Kuvendin e Serbisë.