Japonia nuk arriti ta lansojë raketën e re hapësinore

Japonia sot nuk arriti ta lansojë raketën e re hapësinore H3, e para e këtij lloji në tre dekada të fundit, pasi motorët e anijes kozmike nuk arritën të nisin.

Gjatë ngjarjes, e cila u transmetua drejtpërdrejt, një ekip inxhinierësh nga Kozmodromi Tanegashima i Japonisë nuk arriti të ndezë motorin kryesor të raketës pasi mbaroi numërimi mbrapsht i lëshimit, duke e lënë raketën 57 metra të gjatë në platformën e lëshimit, së bashku me një satelit vëzhgues tokësor Alos -3, e cila është e pajisur me një sensor infra të kuqe të projektuar për zbulimin e raketave balistike, raporton agjencia japoneze e lajmeve Kjodo.

Agjencia japoneze për hulumtime të hapësirës njoftoi se e hulumton arsyen për defektin e motorëve.

Japonia projektoi raketën H3 për të siguruar akses të pavarur në hapësirë ​​për ekipet e saj shkencore dhe ushtarake dhe për të konkurruar në tregun global për lansimin e satelitëve.

Raketa është projektuar për të transportuar satelitët qeveritarë dhe komercialë në orbitë dhe për të dërguar ekuipazhet në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.

Versionet e ardhshme të raketës janë planifikuar gjithashtu të transportojnë ngarkesa në stacionin hapësinor hënor “Gejtuej”, të cilin NASA planifikon ta ndërtojë si pjesë e programit të kthimit hënor.