Japonia dhuroi mbi 57 mijë euro në fshatin Batincë të Komunës së Studeniçanit

Shkup, 20 maj – Ambasadori i Japonisë, Hironori Savada, mori pjesë në ceremoninë e kompletimit të projektit GGP në Komunën e Studeniçanit, në kuadër të Programit japonez për grante të vogla për nevoja themelore dhe siguri njerëzore. Nikoqir në ceremoni ishte kryetari i Studeniçanit, Azem Sadiki dhe drejtori i shkollës fillore “Alija Avdoviq” Kenan Imeri, njoftoi Ambasada Japoneze.

Projekti për përmirësimin e mjedisit shkollor në shkollën fillore “Alija Avdoviq” në fshatin Batincë në Komunën e Studeniçanit, shtojnë, mundësoi që shkolla të rinovohet në tërësi me dyer dhe dritare të reja, me vlerë të përgjithshme prej 57.633 euro. Ky është donacioni i parë përmes Programit japonez GGP për Komunën e Studeniçanit.

“Gjatë vizitës, ambasadori Savada kishte takim të shkurtë me kryetarin Sadiki. Gjatë takimit ata biseduan që ta përforcojnë bashkëpunimin ndërmjet Ambasadës së Japonisë dhe Komunës së Studeniçanit. Ambasadori Savada e vizitoi shkollën ‘Alia Avdoviq’ në fshatin Batincë, ku ishte pritur nga ana e nxënësve dhe arsimtarëve të cilët shprehën falënderim për donacionin nga Japonia”, thuhet në kumtesë.

Ambasadori Savada shprehu falënderim në emër të popullit japonez për mbështetjen dhe miqësinë e qytetarëve të Studeniçanit.

“Përmes projekteve nga programi për grante të vogla (GGP), Japonia ka financuar rinovimin dhe furnizimin e pajisjeve për më shumë se 70 shkolla dhe kopshte të fëmijëve, 57 institucione shëndetësore dhe siguroi 31 vetura të specializuara për menaxhimin me mbeturinat dhe shërbime komunale për 49 komuna”, bëjnë të ditur nga Ambasada Japoneze në vend.