Izraeli dëshiron të eksportojë gaz në Evropë përmes këtij shteti
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se dëshiron të eksportojë gaz në Evropë përmes Italisë. Ai i tha homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, se ka hapësirë për bashkëpunim më të madh mes dy shteteve.
Netanyahu ka nisur vizitën e tij treditore në Romë, ku do të takohet me liderët politikë dhe biznesorë.
Në një deklaratë të shkurtër pas takimit me Melonin, Netanyahu nuk përmendi protestat masive që po mbahen në Izrael për shkak të reformave të prezantuara nga Qeveria e tij apo për njoftimin e papritur të Arabisë Saudite se ka rivendosur raportet diplomatike me Iranin.
Në vend që të komentonte këto zhvillime, lideri izraelit tha se dëshiron që të krijojë lidhje më të thella me Italinë në shumë fusha, përfshirë në sektorin e ujërave, atë kibernetik dhe në sektorin e energjisë.

