Irani u përjashtua nga Komisioni i KB-së për të drejtat e grave, propozimi u inicua nga SHBA

Irani sot me propozim të SHBA-së, u përjashtua nga pjesëmarrja në punën e Komisionit të KB-së për statusin e grave, për shkak të shkeljes së të drejtave të grave dhe vajzave gjatë shuarjes së dhunshme të protestave në atë vend.

Këshilli ekonomik dhe social i KB-së (ECOSOC) që ka 54 anëtare, miratoi Rezolutë të përgatitur nga SHBA-ja, me të cilën urdhërohet suspendimi urgjent i pjesëmarrjes së Iranit në Komisionin për statusin e grave deri në fund të mandatit të atij trupi në vitin 2026.

Për përjashtimin e Iranit votuan 29 anëtare të ECOSOC, tetë ishin kundër, ndërsa 16 të tjerat ishin të përmbajtura.

Ambasadorja e SHBA-së në KB, Linda Tomas-Grinfilld, para votimit deklaroi se anëtarësimi i Iranit e minon kredibilitetin e Komisionit.

Ambasadori iranian në KB, Amir Said Iravani, e vlerësoi hapin e SHBA-së si të paligjshëm dhe të dhunshëm.

Irani, 17 shtete të tjera dhe palestinezët në letrën drejtuar ECOSOC të hënën thanë se votimi pa dyshim do të vendosë precedent të padëshiruar, që në fund do t’i parandalojë vendet e tjera-anëtare me kultura, tradita dhe rite të ndryshme të kontribuojnë në aktivitetet e komisioneve të tilla.

Vetëm pesë shtete nga nënshkrueset e letrës janë anëtare të ECOSOC dhe mund të deklaroheshin në votimin e sotëm.