Irani shpreson në normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite

Ministri iranian i Punëve të Jashtme  Hosein Amir-Abdollahian deklaroi sot në Bejrut se shpreson në normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite, që do të mundësojë rihapjen e ambasadave të dy fuqive rajonale të cilat janë mbyllur tashmë shtatë vjet.

Dialogu midis Iranit shiit dhe Arabisë Saudite sunite filloi në Bagdad, ndërsa  takimi i fundit u mbajt në prill të vitit 2022. Ministri iranian më pas u takua shkurt me homologun e tij saudit në një takim rajonal në Jordani në dhjetor të vitit 2022.

“Shikojmë pozitivisht në kthimin e marrëdhënieve normale me Arabinë Saudite, që do të çojë në rihapjen e   përfaqësive  dhe ambasadave në Teheran dhe Riad, në kuadër të dialogut mes dy vendeve, i cili duhet të vazhdojë”, tha Abdollahian në një konferencë për shtyp.

Deklaratat e ministrit, i cili mbërriti në Bejrut mbrëmë janë dhënë në një kohë kur Irani, i tronditur nga një valë protestash, i akuzon “armiqtë” e tij, të udhëhequr nga SHBA-ja, për nxitje të protestave dhe e nxjerr në pah rolin e Arabisë saudite në financimin e gazetave “armiqësore” në gjuhën persishte jashtë vendit.

Në nëntor Teherani i bëri thirrje Riadit ta ndryshojë sjelljen e tij “armiqësore” dhe i kërcënoi fqinjët e Iranit, përfshirë Arabinë Saudite, që t’i përgjigjen çdo përpjekjeje për destabilizimin e  vendit.

Të dyja vendet i kanë ndërprerë marrëdhëniet para  shtatë viteve,  pas sulmeve ndaj përfaqësive diplomatike saudite në Republikën Islamike, pasi Riadi ekzekutoi një udhëheqës të shquar fetar shiit.

Teherani dhe Riadi i mbështesin palët rivale në disa konflikte në rajon, përfshirë edhe Jemenin. Irani ka më shumë ndikim në Irak dhe Liban dhe e mbështet regjimin e presidentit Bashar al-Asad në Siri.