Irani e paralajmëroi Francën se do të reagojë ndaj karikaturave të Hamneit

Irani sot paralajmëroi se do të reagojë ndaj autoriteteve franceze për shkak të publikimit të karikaturave “ofenduese” të liderit suprem iranian, ajatollahut Ali Hamnei, të publikuara në revistën satirike “Sharli ebdo”  (Charlie Hebdo).

Revista franceze sot publikoi disa dhjetëra karikatura të ajatollahut Hamnei. Karikaturat e publikuara ishin zgjedhur në konkurs në dhjetor, gjatë protestave në Iran.

Akti ofendues dhe i turpshëm i publikimit të karikaturave kundër autoriteteve fetare dhe politike nuk do të kalojë pa përgjigje efektive dhe të fuqishme, shkroi në Tuiter shefi i diplomacisë iraniane Hosein Amir – Abdollahijan.

Sipas tij, Irani nuk do të lejojë që qeveria franceze t’i kalojë kufijtë e saj.

“Sharli eEdo” në dhjetor publikoi se “gara ndërkombëtare për karikaturë” për Hamnein ka për qëllim që t’i mbështesë “iranianët të cilët luftojnë për lirinë e tyre”.