Iku nga burgu në Shkup, 36 vjeçari arrestohet në Strugë

Shkup, 4 maj – Ministria e Punëve të Brendshme kumtoi se dje në Strugë u arrestua një person, pas të cilit është shpallur fletarrest për shkak të arratisjes nga Burgu “Shkup”.

“Më 03.05.2022 në ora 11:30, nëpunës policorë nga SPB Strugë e kanë arrestuar personin F.R. (36) nga Shuto Orizare në Shkup. Arrestimi është kryer në bazë të fletarrestit paraprakisht të shpallur për shkak të arratisjes nga INP Burgu ‘Shkup’, ku ka vuajtur dënim me burg në kohëzgjatje prej dy viteve e 10 muajve”, thuhet në kumtesë.

Nga MPB-ja informojnë se te ai janë gjetur dhe konfiskuar dy paketa heroinë dhe pas dokumentimit të rastit, kundër tij do të ngritet padi adekuate.

Ai u dërgua në INP Burgu “Shkup” për shkak të vuajtjes së dënimit.