IFJ: Këtë vit 40 për qind më shumë gazetarë të vrarë sesa në vitin 2021
Numri i gazetarëve dhe punonjësve mediatikë të vrarë në krye të detyrës në vitin 2022 është rritur për më shumë se 40 për qind krahasuar me vitin e kaluar, theksohet në raportin e ri.
Federata ndërkombëtare e gazetarëve (IFJ) thotë se 67 profesionistë të medias janë vrarë në punë në sulme të targetuara këtë vit, në ktahasim me 47 një vit më parë, që është kthesë nga rënia e vërejtur në vitet e fundit.
“Rritja e numrit të vrasjeve të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias është një shkak serioz për shqetësim dhe një tjetër thirrje zgjimi për qeveritë në mbarë botën që të marrin masa për të mbrojtur gazetarinë, një nga shtyllat kryesore të demokracisë”, tha sekretari i IFJ, gjenerali Entoni Belanger.
Lufta në Ukrainë, trazirat civile në Haiti dhe aktivitetet e organizatave kriminale në Meksikë kontribuan më së shumti në rritjen e vrasjeve, kumtoi Organizata me bazë në Bruksel, e cila përfaqëson rreth 600.000 gazetarë nga 146 vende.
Vendi më vdekjeprurës për personelin e medias ishte Ukraina, me 12 vdekje të raportuara, ndërsa Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut ishin rajonet më vdekjeprurëse, me 29 vdekje.
Raporti, i publikuar në prag të Ditës së të drejtave të njeriut, tregon gjithashtu një rritje të represionit politik dhe regjistron se të paktën 375 gazetarë janë burgosur për kryerjen e punës së tyre, që është 10 më shumë se vitin e kaluar. Shumica e tyre janë në Kinë, Mianmar, Turqi, Iran dhe Bjellorusi.

