Hyn në fuqi plani i BE-së për zvogëlimin e konsumit të gazit

Shkup, 9 gusht – Plani i Bashkimit Evropian për zvogëlimin e konsumit të gazit në Union për 15 për qind hyn sot në fuqi, pasi mbrëmë është publikuar në Gazetën zyrtare administrative të BE-së.

Vendet-anëtare të BE-së më 5 gusht, pavarësisht kundërshtimit të Polonisë dhe Hungarisë, miratuan formalisht një plan urgjent për uljen e konsumit të gazit, për të kursyer karburant për dimër për shkak të pasigurisë me furnizimet ruse.

“Duke pasur parasysh rrezikun e menjëhershëm për sigurinë e furnizimit me gaz të shkaktuar nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës, kjo rregullore duhet të hyjë në fuqi menjëherë”, thuhet në Gazetën zyrtare.

Marrëveshja kërkon që të gjitha vendet e BE-së ta reduktojnë vullnetarisht konsumin e gazit për 15 për qind, me ç’rast Komisioni Evropian mund ta shpallë këtë si detyrim në rrethana të jashtëzakonshme, edhe pse me përjashtime të caktuara për vende dhe industri të caktuara.

Republika Çeke, si kryesues aktuale eBE-së, javën e kaluar njoftoi se të gjitha vendet e Unionit e kanë miratuar Marrëveshjen, me përjashtim të Hungarisë dhe Polonisë.

Para fillimit të luftës në Ukrainë, Rusia siguronte 40 për qind të nevojave të përgjithshme të BE-së për gaz. Që atëherë, Moska i ka reduktuar dërgesat e gazit në Evropë, gjë që nga njëra anë e bën më të vështirë mbushjen e magazinave para dimrit dhe nga ana tjetër e bën më të ashpër konkurrencën në furnizimin me karburant jorus.