Humb jetën 17-vjeçari nga Malisheva, dyshohet se ra nga skelet gjatë punës

Ulqin, 14 qershor medial.mk/ – Një ngjarje tragjike ka tronditur Malishevën dhe mbarë opinionin publik shqiptar. 17-vjeçari me inicialet E.K. ka humbur jetën të shtunën në Ulqin, në rrethana tepër të rënda.

Sipas informacioneve të para, i riu ishte duke punuar në momentin e aksidentit, kur dyshohet se është rrëzuar nga një skelet ndërtimi, duke pësuar lëndime fatale.

Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe te familjarët, të afërmit dhe miqtë. Raportohet se E.K. ishte djali i vetëm i familjes, gjë që e bën tragjedinë edhe më të rëndë.

Miqtë dhe shokët e tij kanë shprehur ngushëllime prekëse në rrjetet sociale, duke e kujtuar si një djalë të sjellshëm, punëtor dhe të dashur për të gjithë.

Autoritetet pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik që i mori jetën të riut nga Malisheva.

Leave a Reply