Hija e rusofilisë në vend anëtar të NATO-s. Ja si deklarohet kreu shtetëror
Nënat ruse po i qajnë fëmijët e tyre, duke theksuar se fëmijët e tyre i kanë gënjyer dhe i kanë dërguar në Ukrainë për luftë. Të rinjtë rus janë mashtruar duke ju thënë se do të dërgohen në një trajnim njëmujor në Bjellorusi. Shumë prej tyre janë gjendur në luftë pa e ditur. Ndërkaq, me plot vetëdije dhe me mendësi dashakeqe ushtria ruse merr përkrahje nga një numër i konsiderueshëm i banorëve të Maqedonisë së Veriut. Agresioni rus ka ekzaltuar edhe disa eksponentë në opinionin publik të vendit. Në një anketë, deri më 40% të shtetasve tanë janë në linjë me Moskën e Putinit.
I pari i partisë “E majta”, njëherazi deputet në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nuk e fsheh se është rusofil dhe anti NATO. Nuk e kursen foltoren e Kuvendit për këtë gjë, e as hapësirën nëpër rrjete sociale. Në frymën e shtetit demokratik dhe hapësirës për opinion publik ndryshe haptazi mbron diktatorët dhe autokratët. I njëjti për publikimet e tij merr përkrahje solide në rrjete sociale.
Në këtë linj është edhe rusofili tjetër Janko Baçev, i cili në deklaratën e tij të fundit publike ka arsyetuar agresionin rus në Ukrainë. “Nuk është në interes të Maqedonisë së Veriut që t’u bashkëngjitet sanksioneve kundër Rusisë. Ne na duhet politikë parimore dhe neutral, me çka do të mbahen raporte të mira me Kievin dhe Moskën”, tha ai.
Të lartpërmendurve duhet kujtuar se as rusët nuk e lakmojnë e as nuk bëjnë tifo për agresionin e Putinit- të sëmurit të Uralit. Më shumë së 380 shkencëtarë rusë, kanë nënshkruar një letër, në mesin e nënshkruesve, sipas gazetës gjermane FAZ, 65 anëtarë të Akademisë së Shkencave Ruse, duke shprehur publikisht protestën për veprimet e Putinit.
“Ne, shkencëtarët, bëjmë një protestë të fortë kundër akteve të luftës të nisura nga forcat e armatosura të vendit tonë në territorin e Ukrainës. Ky hap fatal do shkakton sakrifica kolosale njerëzore dhe po minon vetë themelet e sistemit të vendosur të sigurisë ndërkombëtare. Përgjegjësia për nisjen e një lufte të re në Europë i takon tërësisht Rusisë. Nuk ka justifikime të arsyeshme për këtë luftë. Përpjekjet për të përdorur situatën në Donbas si arsye për të nisur një operacion ushtarak nuk ngjallin asnjë besim. Është shumë e qartë se Ukraina nuk përbën kërcënim për sigurinë e vendit tonë. Lufta kundër tyre është e pajustifikuar dhe padyshim e pakuptimtë”.
Pse duhet mbështetur Ukraina?
“Duke e mbështetur Ukrainën, ne mbështesim vetveten dhe për këtë arsye jam pak i befasuar nga intensiteti i mbështetjes së pozicionit të Rusisë në këtë konflikt nga disa qarqe të caktuara”, ka deklaruar kryediplomati Bujar Osmani.
Sipas tij, ka përpjeke për degradimin e pozicionin shtetëror duke ironizuar me mbështetjen që Republika e Maqedonisë së Veriut i jep Ukrainës.
“Çfarë mund të bëni ju për ta mbështetur Ukrainën?! Nuk keni asgjë si shtet! Dhe më besoni se, është një kërcënim hibrid. Neve mund të na duket se njerëzit në Facebook, në rrjetet sociale komentojnë ashtu kot, por ajo është e nxitur nga qendra të caktuara që duan të rrënojnë besimin e qytetarëve në institucionet tona. Dje, kur Qeveria mori vendim për ndihmë, kishte me mijëra reagime, çfarë do të jepni ju?! A do të jepni lodra, për shkak se ju nuk keni asgjë?! Ky është qëllimi. Të thyhet besimi në ushtri. A e dini se nëse ka një institucion në këtë vend që gëzon besimin më të madh të qytetarëve, ajo është ushtria. Qëllimi është të thyhet besimi në ushtri, të thyhet besimi tek institucionet, që pastaj të mos dëgjohen mesazhet tona. Mesazhet tona nuk dëgjohen kur u bëjmë thirrje qytetarëve të bëjnë diçka. Dhe në këtë mënyrë dëmtohet një shtet. Prandaj, mendoj se është e rëndësishme që të gjithë ne të luftojmë kundër këtyre kërcënimeve hibride, dezinformatave, roli i të cilave është ta cenojnë besimin e qytetarëve tek institucionet dhe ky është një element kyç për sigurinë e vendit”, tha Ministri Osmani.
Për komentet anti-NATO është deklaruar edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski. Ai sqaron se qëllimi i kësaj strategjie është të sulmohet kredibiliteti i NATO-s, por edhe i BE-së, me qëllim që qytetarët të nisin e të mendojnë për alternative tjera.
“Qëndrimi shtetëror i Maqedonisë së Veriut është i qartë, ne dënuam agresionin rus kundër Ukrainës dhe iu bashkuam qëndrimeve të Aleancës si anëtare e NATO-s dhe paketës së masave restriktive të Bashkimit Evropian kundër Rusisë”, deklaroi presidenti Pendarovski.

