Hapet Qendra për zhvillim të teknologjive në Shkup, po krijohen 300 vende të reja të punës për TI inxhinierë

Shkup, 18 mars – Në Shkup është hapur qendra e re për zhvillim të teknologjive të TI kompanisë HTEC Group, investim i përkrahur nga Qeveria. Drejtori kryesor operativ i kompanisë Dejvid Shoh paralajmëroi hapjen e 300 vendeve të reja të punës për inxhinierë, disejnerë dhe ekspertë nga TI industria.

Shoh në konferencën e sotme për shtyp tha se të punësuarit do të kenë mundësi të zhvillohen si profesionistë, të avancohen në sferat e tyre të interesit, e njëherë të mbeten në qytetin e tyre, afër familjes dhe miqve të tyre.

“Synojmë që kapitali intelektual të mbetet në shtetin amë. Posaçërisht për ne është e rëndësishme përkrahja nga Qeveria, si dhe në përgjithësi lehtësimet për TI sektorin”, tha Shoh.

Menaxheri për inxhineri dhe dërgesë, Vasko Drenovski tha se kompania është e etabluar si vend ku gjigantët botërorë nga TI industria vijnë kur u duhet zgjidhje e shpejtë, stabile dhe e qëndrueshme.

“Jemi të gatshëm të punojmë në krijimin e prodhimeve – nga skica deri te realizimi, si dhe t’i lidhim ekspertët tanë më me përvojë me disa nga kompanitë më të mëdha botërore”, potencoi ai.

HTEC Group është kompani me seli në San Francisko (SHBA), e cila posedon zyre rajonale në SHBA, Britaninë e Madhe, Suedi dhe Holandë dhe qendra zhvillimore në Serbi, Slloveni, Maqedoninë e Veriut, Hungari, Rumani dhe Bosnjë e Hercegovinë.