Hamasi festoi 35 vjet nga themelimi i tij, lideri Sinvar parashikon “konflikt të hapur” me Izraelin
Qindra mijëra palestinezë u mblodhën sot në qendër të Gazës për të shënuar 35 vjetorin e themelimit të lëvizjes ekstremiste Hamas, liderët e së cilës parashikuan një vit të “konfliktit të hapur” me qeverinë e re izraelite të ekstremit të djathtë, e cila pritet së shpejti të bëjë betimin.
Lideri i Hamasit në Gaza, Jahja Sinvar, foli për “konfliktin e hapur” në parkun Katiba, ku mbështetësit valëvitnin flamujt e kësaj organizatë islamike.
Sinvar tha se vendi i xhamisë Al-Aksa në Jerusalem, i shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë, është nën kërcënim nga një “qeveri talmudike, fashiste, sioniste, e krahut të djathtë” dhe se Hamasi do të përgjigjej me forcë.
Sinvar kritikoi gjithashtu presidentin palestinez Mahmud Abas, liderin e lëvizjes rivale të moderuar Fatah dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund bashkëpunimit të sigurisë së Autoritetit Palestinez me Izraelin.
Bashkëpunimi, tha ai, dëmton rezistencën në rritje ndaj inkursioneve izraelite në një territor tjetër palestinez, Bregun Perëndimor.
Lideri i Hamasit vlerësoi gjithashtu se Izraeli ka “kohë të kufizuar” për të shkëmbyer të burgosurit palestinezë për eshtrat e dy ushtarëve të vrarë në luftën e Gazës në vitin 2014.
Hamasi mori kontrollin e Gazës me forcë në vitin 2007, duke mposhtur forcat besnike të Fatahut të Presidentit Abas, i cili ende dominon Bregun Perëndimor të pushtuar.
Që atëherë, Rripi i Gazës ka qenë nën bllokadë nga Izraeli dhe Egjipti dhe lëvizja e njerëzve dhe mallrave kontrollohet rreptësisht për arsye sigurie, siç pretendohet nga pala izraelite.
Sondazhet e opinionit tregojnë se pavarësisht faktit se ekonomia është e mbytur dhe vuajtjet e 2.3 milionë banorëve të Gazës po shtohen, Hamasi është më popullor se Fatah në Rripin e Gazës.

