Gjykata ruse sekuestron pronat e Google, ngrin llogarinë bankare të nëndegës ruse

Një gjykatë në Moskë ka sekuestruar pronën dhe ka ngrirë llogaritë bankare të nëndegës ruse të Google. Këto veprime janë ndërmarrë si garanci kundër një vendimi të mundshëm gjyqësor pas ngritjes së padisë nga kjo kompani amerikane kundër një nëndege të kompanisë Gazprom-Media. Gjykata e Arbitrazhit të qytetit të Moskës tha më 26 prill se kishte vendosur gjashtë ditë më parë që të marrë asetet e Google, që kanë një vlerë prej rreth 500 milionë rublash (6.6 milionë dollarë).

Rasti ka të bëjë me televizionin GPM të Gazprom Media Holding, i cili ngriti një padi duke kërkuar që Google të rivendoste aksesin në llogarinë e tij në YouTube. YouTube, i cili ka bllokuar mediat e financuara nga shteti ruse globalisht, është nën presion të madh nga rregullatori i komunikimit dhe politikanët rus.

Presidenti i Google për çështje globale, Kent Walker, atëbotë kishte deklaruar për bllokimin e kanaleve se “në këtë krizë të jashtëzakonshme po ndërmarrin masa të jashtëzakonshme për të ndalur përhapjen e deizinformatave dhe për të penguar fushatat e dezinformatave online”.