Gjukanoviç e ka kthyer Kuvendit ligjin për Presidentin

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç i ka kthyer kryetares së Kuvendit, Danijela Gjuroviç, ndryshimet në Ligjin për Presidentin, duke kërkuar me shkresë që të korrigjohet gabimi në emër.

Kështu ka bërë të ditur këshilltari i presidentit të Malit të Zi për sistemin kushtetues dhe çështjet juridike, Boris Bastijançiç, duke shtuar se Gjukanoviç sot ka marrë një letër nga Gjuroviç.

Në letër, thuhet se Kuvendi dje e ka miratuar Ligjin për Presidentin e Malit të Zi, gjë që nuk është e vërtetë, sepse ai ligj është miratuar në vitin 2018.

Emri i rregullores që u miratua dje është Ligji për ndryshimin e ligjit për Presidentin e Malit të Zi.

Policia malazeze u përplas me protestuesit që u mblodhën në Podgoricë pasi qeveria miratoi një ligj të diskutueshëm që kufizon kompetencat e presidentit.

Shteti Ballkanik mbetet në ngërç politik prej muajsh, që kur qeveria e kryeministrit Dritan Abazoviç nuk arriti t’i mbijetojë një mocioni mosbesimi në parlament.