Gjermania e shqetësuar nga kërcënimet e Trump për të dalë nga NATO-ja
Berlin, 3 prill, medial.mk/ – Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka shprehur shqetësim për deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me një tërheqje të mundshme të SHBA-së nga NATO.
“Natyrisht, deklarata të tilla më shqetësojnë”, tha Wadephul për grupin mediatik “Funke”, duke shtuar megjithatë se beson se një dalje e SHBA-së nga aleanca ende mund të shmanget. “Angazhimi i qartë dhe mbështetja e vendosur ndaj NATO-s mund të bindin Uashingtonin për të vazhduar këtë histori të përbashkët suksesi”, theksoi ai.
Komentet e tij vijnë pasi presidenti Trump dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio kanë kërcënuar sërish me largim nga NATO, për shkak të refuzimit të disa aleatëve për t’u përfshirë në luftën kundër Iranit.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Telegraph”, presidenti Trump u shpreh se mundësia e rishikimit të anëtarësimit në NATO është “përtej rishqyrtimit”, duke lënë të kuptohet për një qëndrim të ashpër ndaj aleancës.
Wadephul theksoi se NATO mbetet me “rëndësi të jashtëzakonshme” për sigurinë e Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë, duke shtuar se aleanca është më e fortë se kurrë, sidomos pas anëtarësimit të Suedisë dhe Finlandës, si dhe angazhimit të vendeve evropiane për të rritur shpenzimet e mbrojtjes deri në 5% të prodhimit ekonomik.
Ai gjithashtu theksoi se Trump nuk mund të vendosë i vetëm për një tërheqje nga NATO, pasi do t’i nevojitej miratimi i Senatit të Shteteve të Bashkuara.
Ndërkohë, deklaratat e presidentit Trump kanë hasur në kundërshtim dypartiak në Senatin amerikan. Në një deklaratë të përbashkët, senatorët Chris Coons dhe Mitch McConnell theksuan se qytetarët amerikanë janë më të sigurt kur NATO është e fortë.

