Gjendje e jashtzakonshme nga përmbytjet në Itali/ 1 viktimë dhe 11 të zhdukur

Një 31-vjeçare ka humbur jetën. Eleonora Sirabella, ishte një shitëse në një dyqan në Ischia, viktima e parë e konfirmuar e rrëshqitjes së dheut Casamicciola. Ajo jetonte me shokun e saj, ende të zhdukur, në zonën e Rarones, një nga më të goditurit nga reshjet që nisën mbrëmjen e djeshme.

11 persona raportohen ende të zhdukur. Ditën e sotme do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme Këshilli i Ministrave i cili do të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve, ndërsa do të akordohen edhe 2 milionë euro për ndërhyrjet e para.

Fondi që do të alokohet do të përdoret për riparimin e disa rrugëve të bllokuara, strehimin e përkohshëm të qytetarëve që iu janë prishur banesat, apo për të siguruar ushqim dhe çdo nevojë tjetër për qytetarët në zonat e përmbytura.

Mbrojtja Civile e Rajonit të Campania ka zgjatur paralajmërimin e motit në Ischia, në zonën 1 të ishujve, Piana Campana, Napoli dhe në zonën e Vezuvit deri në orën 18:00 të ditës së sotme. Alarmi portokalli sot është në Kalabri dhe Siçili ndërsa e verdhë në Basilicata.