Gjendet trupi i pajetë i 26 vjeçarit që u raportua i zhdukur javë më parë në Prizren

Është gjetur trupi i pajetë i 26 vjeçarit sot rreth orës 08:20 në lumin “Drini i Bardhë”, në afërsi të urës së fshatit Rugovë në Prizren.

Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Sipas tij, një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lum dhe ka lajmëruar policinë.

“Më datë 14.01.2025, rreth orës 08:20, policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lumin “Drini i Bardhë” në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Me të marr këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vend ngjarje, ku kanë vërejtur një trup të pajetë”, ka thënë Bytyqi.

“Pas kontrollimit të viktimës nga njësit përkatëse, në rrobat e viktimës janë gjetur dokumentacion personal në emër të Arban HISARI, 05.06.1998 si dhe rrobat të cilat i kishte viktima, ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajetë është i viktimës së lartcekur. Për rastin është informuar edhe prokurori i shtetit”, ka thënë Bytyqi.