Gjashtë milionë ukrainas pa energji elektrike në ditën e parë të dimrit

Pothuajse gjashtë milionë njerëz në disa rajone të Ukrainës janë pa energji elektrike në ditën e parë zyrtare të dimrit, e cila fillon sot në këtë vend, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Shërbimi i emergjencës shtetërore të Ukrainës raportoi se nëntë persona vdiqën në zjarre, për shkak të shkeljeve të rregullave të sigurisë në përpjekje për të ngrohur shtëpitë e tyre, pas sulmeve ruse ndaj termocentraleve që la pjesë të mëdha të Ukrainës pa energji elektrike

“Vetëm ditën e fundit në Ukrainë janë shënuar 131 zjarre, 106 prej të cilave në sektorin e banimit. Nëntë persona vdiqën, tetë u plagosën”, tha shërbimi i urgjencës, raporton Guardian.

Në Ukrainë, sulmet ushtarake ruse ndaj vendit vazhdojnë. Ushtria ruse, duke përdorur sisteme raketash me shumë fuçi, sulmoi komunitetet Markhanets dhe Chervonokhrihorivka në rrethin Nikopol të rajonit Dnipropetrovsk. Në Chervonohrihorivka, një ndërtesë u shkatërrua, dy të tjera u dëmtuan, si dhe disa shtëpi, gazsjellësi dhe rrjete elektrike, kështu që vetëm në këtë zonë rreth 300 familje mbetën pa energji elektrike dhe 30 pa gaz natyror, raporton Ukrinform.

Prokuroria e Shtetit ukrainas njoftoi se në vend janë regjistruar 50.297 krime të agresionit dhe krime lufte të kryera nga Rusia. Prej tyre, 48.507 kanë të bëjnë me shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës, 73 kanë të bëjnë me planifikimin, përgatitjen ose fillimin dhe kryerjen e agresionit ushtarak, 40 kanë të bëjnë me propagandë lufte dhe 1.577 janë krime të tjera.

Ndërkohë, SHBA-ja ka miratuar dërgimin e gjithsej tetë sistemeve të avancuara të raketave tokë-ajër Nasams në Ukrainë për të ndihmuar në parandalimin e sulmeve me raketa ruse dhe dron. Ushtria amerikane nënshkroi një kontratë 1.2 miliardë dollarësh me Raytheon Technologies për këtë.

Ukraina mori dorëzimin e parë të dy sistemeve të tilla të mbrojtjes ajrore në nëntor, ndërsa pjesa tjetër do të dorëzohet në muajt e ardhshëm.

Gjashtë sistemet Nasams ishin pjesë e paketës së pestë të Iniciativës së Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës të shpallur në gusht, me një vlerë totale prej 2.98 miliardë dollarësh, tha ushtria amerikane në një deklaratë.

Pentagoni tha se sistemet Nasams të ofruara nga Shtetet e Bashkuara deri më tani kanë qenë 100 për qind të suksesshme në kapjen e raketave ruse në Ukrainë.