Gërkovska – Vik: Çdo shtet duhet të sigurojë qasje deri në teknologjinë dhe internetin, si dhe shkathtësi dhe dituri për atë teknologji

Shkup, 10 maj – Në kuadër të vizitës së punës në Estoni, me qëllim të njohjes më të hollësishme me procesin e transformimit digjital të shoqërisë, zëvendës kryetarja e Qeverisë e obliguar për politika për sundim të mirë, Sllavica Gërkovska ka realizuar takim me Linar Vik, ekspert për digjitalizim, i cili drejtpërdrejtë ka qenë i përfshirë në digjitalizimin e shoqërisë estoneze.

Dy bashkëbiseduesit, siç kumtoi pres shërbimi i Qeverisë, kanë biseduar për mënyrat se si Republika e Maqedonisë së Veriut në mënyrë efikase mund ta transformojë shoqërinë në sferën digjitale, duke përfshirë edhe digjitalizimin e shërbimeve të cilat janë shumë të rëndësishme për qytetarët.

“Biseda ka qenë jashtëzakonisht e dobishme, duke marrë parasysh se Vik ka qenë këshilltar në Qeverinë estoneze në periudhë, kur janë marrë vendimet e rëndësishme politike për fillimin intensiv të digjitalizimit. Në të njëjtën kohë, ai u njoftua edhe me zhvillimin e qasjes në internet dhe digjitalizimin në Republikën e Maqedonisë së Veriut në rreth dhjetë vitet e fundit”, thuhet në kumtesë.

Zëvendës kryeministrja Gërkovska ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur përparim të konsiderueshëm në disa sfera, por se futja e të dhënave në baza është proces për të cilin nevojitet kohë.

Gërkovska dhe Vik janë pajtuar se në këtë proces është me rëndësi të sigurohet qasje deri në teknologjinë dhe internetin, si dhe shkathtësitë dhe dituritë se si kjo teknologji të avancohet.

Zëvendës kryeministrja Gërkovska, në kuadër të Projektit për avancimin e digjitalizimit të Republikës së Maqedoinisë së Veriut, e në bashkëpunim me Qendrën estoneze për zhvillim ndërkombëtar dhe me përkrahje të SHBA-së, është për vizitë treditore në institucionet estoneze, të cilat janë bartëse të shoqërisë digjitale estoneze.