Franca kërkon të mos ftohen artistë nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso

Njoftohet se Ministria jashtme e Francës, ka kërkuar nga komuniteti kulturor që të mos ftojnë artistë nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso, transmeton Anadolu.

Sipas lajmit të radios France Inter, vihet në dukje se Ministria Jashtme e Francës ka kërkuar nga komuniteti kulturor që të mos ftojnë artistë nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso.

Kjo kërkesë e ministrisë bëhet e ditur se është përcjellë përmes dërgimit të një letre Drejtorive Rajonale për Çështjet e Kulturës dhe institucioneve kulturore publike.

Në letër thuhet se deri në një udhëzim të dytë nga ministria e jashtme janë pezulluar të gjitha bashkëpunimet me Nigerin, Malin dhe Burkina Fason dhe se qytetarët e këtyre vendeve nuk duhet të ftohen.

Në një deklaratë të bërë nga Ministria franceze e Kulturës, vihet theksi se nga ministria e tyre ose nga Ministria e Jashtme nuk është kërkuar anulimi i skenës për asnjë artist pavarësisht kombësisë së tyre.

Po ashtu në deklaratë bëhet e ditur se që nga 7 gushti Franca ka pezulluar dhënien e vizave për ata që vijnë nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso dhe se ky vendim nuk prek vizat e dhëna para datës në fjalë ose për ata që jetojnë në një vend tjetër përveç Francës.

Sindikata e institucioneve të artit dhe kulturës (Syndeac) ka kërkuar një mbledhje urgjente me Ministrinë e Jashtme për ndryshimin e këtij vendimi të marrë kundrejt artistëve të tri vendeve afrikane në fjalë.

Në anën tjetër, kryetarja e bashkisë së Parisit, Anne Hidalgo në një deklaratë të bërë nga platforma e medias sociale “X” njoftoi se Bashkia e Parisit nuk ka ndërprerë bashkëpunimin me artistët nga Nigeri, Mali dhe Burkina Faso.

“Kultura, artistët mbartin një shpresë që njerëzimi nuk mund të heqë dorë”, është shprehur Hidalgo.

Zhvillimet në marrëdhëniet e Francës me Malin, Burkina Fason dhe Nigerin

Pas tensionit diplomatik mes Francës dhe Malit, qeveria e Parisit në vitin 2022 tërhoqi ushtarët e fundit të saj që ndodheshin në këtë vend në kuadër të operacionit “Barkhane”.

Administrata ushtarake, e cila më 26 korrik kaloi në krye të Nigerit, më 25 gusht i dha 48 orë ambasadorit francez në Niamey, Sylvain Itte, që të largohej nga vendi, por ambasadori nuk u largua.

Burkina Faso në janar të këtij viti kërkoi largimin e ushtarëve francezë që ndodheshin në vend në kuadër të operacionit “Sabre”. Franca pranoi tërheqjen e ushtarëve të saj.