Fillon konferenca e 14-të për pagesa dhe infrastrukturë të tregut

Shkup, 4 tetor – Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Banka Qendrore e Holandës për të 14-tën herë e organizojnë Konferencën për pagesa dhe infrastrukturë të tregut, me çka vazhdon tradita për diskutim të hapur për sfidat dhe mundësitë që i sjell vala globale e digjitalizimit për shërbimet financiare.

Sivjet konferenca në temë: “E ardhmja me prosperitet e pagesave digjitale”, do të mbahet në format virtual.

“Teknologjitë e reja për pagesa të udhëhequra nga fintek-kompanitë, të cilat ofrojnë gamë të gjerë të produkteve dhe shërbimeve pagesore, do të jenë temat kryesore të konferencës ndërkombëtare, ku bartësit e politikave dhe ekspertët do t’i ndajnë mendime mbi nevojën për hapje të sistemeve bankare dhe autentifikimin e zgjeruar të klientëve, si dhe për rëndësinë e sigurisë në hapësirën digjitale. Në këtë ngjarje ndërkombëtare, e cila fillon nesër, do t’i kushtohet vëmendje edhe nevojës dhe përfitimeve të pritshme nga vendosja e monedhave digjitale të bankave qendrore”, thuhet në kumtesën e Bankës Popullore.

Fjalim hyrës në konferencë do të kenë guvernatorja e Bankës Kombëtare Anita Angelovska-Bezhoska, guvernatorja e Bankës Popullore të Serbisë, Jorgovanka Tabakoviq dhe drejtoresha e Sektorit për pagesa dhe infrastrukturë të tregut në Bankën e Holandës. Inge van Dijk, ndërsa do të marrin pjesë përfaqësues të Bankës Qendrore Evropiane dhe bankat qendrore të vendeve të Bashkimit Evropian, bankat qendrore të vendeve të rajonit, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Evropian, Banka për pagesa ndërkombëtare.