Fidel Ylli kërkesë Ramës: Nxirri nga errësira kompanitë e basteve, jepja sportit ato para

Në aktivitetin e posaçëm për pritjen e kampiones Luiza Gega në Kryeministri, kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli i ka bërë edhe një kërkesë kreut të qeverisë Edi Rama për të lejuar bastet sportive.

Fidel Ylli ka kërkuar që paratë e basteve sportive të përdoren për sportin dhe për të ndërtuat Pallate Sportive, pista vrapimi dhe për të krijuar kushte për të gjithë sportistët.

“Do t’i lutesha zotit Kryeministër një thirrje publike sot, të kam dhe përballë. Nxirri nga errësira kompanitë e basteve që po gëlojnë, jepja ato para sportit, jepja rinisë, që të kemi mundësi me ato para ne të bëjmë qendër tjetër olimpike. Për ato para ne të japim shpërblime elitare këtyre sportistëve, për ato para të rregullojmë ato pak gjëra qe kanë ngelur në qendrën e Korçës për t’u rregulluar ai pallat sporti, për të bërë atë hotel që e kemi në projekt. Për të bërë dhe shumë hotele të tjera të Shqipërisë, në Shkodër, në Fier, në Vlorë që është rrënuar ai stadium i pallatit të Vlorës, me Pjeta Cikën dhe atë nivel që ka pasur basketbolli i Vlorës. Pra ne nuk mund të kërkojmë lëmoshë buxhetit të shtetit, kaq është. Ky vend ka dhe halle të tjera, unë kam qenë në parlament, dhe e di si ndahet buxheti i shtetit dhe sa është, por ne kërkojmë burime të tjera alternative që i merr sot errësira, i marrin njerëz anonim, nuk paguajnë as një taksë, shtetit asnjë lekë, rinia as një lekë, sportit asnjë lekë. Pse duhet të ndodhi kjo?

U bë shumë mirë që u mbyllën, kam qenë në parlament dhe kam votuar, sepse u bënë si kërpudha në mes të shiut, kishin dalë jashtë kontrolli, afër çdo institucioni, çdo shkolle, poshtë pallatit, dhjetë lokale bastesh, por ka ardhur një moment që duhet bërë një studim, një hartë. Zoti Kryeministër, kompani bastesh krejt të lira ka Franca, Gjermania, Anglia, Greqia, e gjithë bota e qytetëruar dhe Amerika. Po ne kaq të pasur jemi që këto paratë t’ja lëmë rrugës, njerëzve anonim, dhe mos i marrim për këta të rinj, që të kemi mundësi të bëjmë qendra të reja olimpike, por kemi mundësi të bëjmë edhe terrene sportive, mos të kërkojmë thjesht t’i themi Erion Veliajt, që i jep goxha para sportit. Ka dhënë 1 milion Dollarë qe të bëjë pistën e atletikës. Kemi nevojë edhe për një pallat sporti sepse harrojmë që pallati i sportit që kemi “Asllan Rusi”, është i kohës së Petrit Dumës. I thanë Petrit Dumës që Shqipëria ka marrë një olimpiadë të ushtrisë, por fatkeqësisht tha ne nuk kemi pallat sporti dhe duhet ta anulojmë, kemi i tha pallat si s’kemi, morri avionët i nxorri jashtë dhe e ndau atë pallat sporti që kemi sot.

Ne nuk mund të rrimë më me atë pallat zoti kryeministër, duhet bërë një pallat modern, fusha olimpike, fusha dhe terrene sportive në të gjithë Shqipërinë, dhe ju do të shikoni në fund të vitit tjetër se çfarë efekti do të këtë ekipet sportive nëpër shkolla, ku ne po instalojmë kamera në çdo palestër dhe do të jemi live. Kemi një aplikacionin tonin, që po promovojmë, dhe do i tregojmë gjithë komiteteve olimpike botërore dhe gjithë opinionit publik, që Shqipëria ka rritur teknologjinë, performancës në sport, ka bërë reforma dhe para dy ditësh komiteti olimpik ka marrë dy projekte nga Komisioni Europian.

Unë nuk dua të zgjatem më shumë se kur fillon pasioni për sportin unë s’mund të ndaloj, por dua t’ju falenderoj, të përgëzoj me zemër Luiza për këtë gjë që ke bërë, të madhe sepse nuk fiton ti, fiton gjithë sporti shqiptar, të gjithë këta kampiona dhe të gjithë në si komitet olimpik që dua t’ju mbështes”, tha Fidel Ylli. /tvklan.al