Evropa i drejtohet Afrikës në përpjekje për të zëvendësuar gazin natyror rus  

Mes luftës në Ukrainë udhëheqësit evropianë po i drejtohen Afrikës për më shumë gaz natyror ndërsa përpiqen të zëvendësojnë sasinë e importuara nga Rusia.

Ndërsa rezervat e gazit natyror të Afrikës janë të mëdha dhe vendet e Afrikës së Veriut si Algjeria kanë tubacione të lidhura me Evropën, mungesa e infrastrukturës dhe sfidat e sigurisë kanë penguar prej kohësh prodhuesit në pjesë të tjera të kontinentit të rrisin eksportet.

Nigeria ka rezervat më të mëdha të gazit natyror në kontinent, por mbulon vetëm 14% të importeve të gazit natyror të lëngshëm të Bashkimit Evropian, sasi që eksportohet me anije. Algjeria dhe Egjipti përbënin 60% të prodhimit të gazit natyror të Afrikës në vitin 2020 dhe nuk eksportojnë mjaftueshëm për të zëvendësuar furnizimet ruse të karburantit që nevojitet për fabrikat, e ngrohje.

Një projekt i ri i gazit natyror të lëngshëm në brigjet perëndimore të Afrikës mund të jetë vetëm 80% i përfunduar, por tashmë e ardhmja e një furnizuesi të ri energjie ka nxitur vizita nga udhëheqësit e Polonisë dhe Gjermanisë.

Fusha pranë brigjeve të Senegalit dhe Mauritanisë besohet se përmban gaz pesë herë më shumë sesa ajo që përdori Gjermania gjatë gjithë vitit 2019. Gjermania është një vend që varet shumë nga gazi. Por, prodhimi nuk pritet të fillojë deri në fundin e vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Gordon Birrell, një nga udhëheqësit e projektit, ku është përfshirë edhe “British Petroleum”, thotë se kjo po bëhet në kohën e duhur, pasi Evropa kërkon të zvogëlojë varësinë e saj nga gazi natyror rus.

“Ngjarjet aktuale botërore po dëshmojnë rolin jetik që (gazi i lëngshëm) mund të luajë në mbështetjen e sigurisë energjetike të vendeve e rajoneve të ndryshme”, tha ai në një takim mbi industrinë e energjisë në Afrikën Perëndimore muajin e kaluar.

Vende të tjera si Mozambiku kanë zbuluar rezerva të mëdha gazi, por projektet po vonohen si pasojë e dhunës nga militantët islamikë.

Evropa po përpiqet të sigurojë burime alternative pasi Moska ka zvogëluar dërgesat e gazit natyror në vendet e BE-së, duke shkaktuar rritjen e çmimeve të energjisë dhe frikën se një krizë mund të jetë e pashmangshme.

Udhëheqësit evropianë janë dyndur në vende si Norvegjia, Katari, Azerbajxhani dhe veçanërisht në Afrikën e Veriut, ku Algjeria ka tashmë një tubacion që shkon në Itali dhe një tjetër në Spanjë.

Italia nënshkroi marrëveshje për gazin në vlerë prej 4 miliardë dollarësh me Algjerinë në korrik, një muaj pasi Egjipti arriti marrëveshje me Bashkimin Evropian dhe Izraelin, për të rritur shitjet e gazit të lëngshëm.

Angola gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje gazi me Italinë.

Udhëheqësit afrikanë si presidenti senegalez Macky Sall duan që vendet e tyre të fitojnë para në këto projekte, ndonëse ata nuk duan t’i eksportojnë gjithë sasinë, pasi rreth 600 milionë afrikanë nuk furnizohen me energji elektrike.

Egjipti, një shtet që gjendet në një situatë ku ka nevojë për para në dorë po kërkon gjithashtu të eksportojë më shumë gaz natyror në Evropë.

Kryeministri Mostafa Madbouly thotë se Egjipti shpreson të marrë 450 milionë dollarë shtesë në muaj në valutë të huaj duke bërë që 15% e gazit që përdoret për nevoja të brendshme të eksportohet, njoftoi media shtetërore.

Në jug, Mozambiku pritej të shndërrohej në eksportuesin më të madh të gazit të lëngshëm pas zbulimit të sasive të konsiderueshme përgjatë bregdetit të Oqeanit Indian në vitin 2010. “TotalEnergies” e Francës investoi 20 miliardë dollarë dhe filloi punën për nxjerrjen e gazit.

Por dhuna ekstremiste islamike e detyroi vitin e kaluar “TotalEnergies” të ndalojë projektin për një kohë të pacaktuar.