Etiopia do të krijojë rivalë lokalë për Facebook, Twitter dhe WhatsApp

Etiopia ka filluar zhvillimin e platformës së saj të mediave sociale për të rivalizuar Facebook, Twitter dhe WhatsApp, megjithëse nuk planifikon të bllokojë shërbimet globale, tha agjencia shtetërore e sigurisë së komunikimit.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Etiopia është përfshirë që nga viti i kaluar në një konflikt të armatosur që vë qeverinë federale kundër Frontit të Çlirimit të Popullit Tigray (TPLF), i cili kontrollon rajonin Tigray në veri të vendit.

Përkrahësit e të dyja palëve kanë zhvilluar një luftë paralele fjalësh në mediat sociale.

Kështu, Qeveria dëshiron që platforma e saj lokale të “zëvendësojë” Facebook, Twitter, WhatsApp dhe Zoom, tha të hënën drejtori i përgjithshëm i Agjencisë së Sigurisë së Rrjetit të Informacionit (INSA), Shumete Gizaw.

Shumete akuzoi Facebook-un për fshirjen e postimeve dhe llogarive të përdoruesve për të cilat ai tha se “përhapnin realitetin e vërtetë rreth Etiopisë”.

Grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut kanë kritikuar qeverinë etiopiane për mbyllje të pashpjegueshme të shërbimeve të mediave sociale përfshirë Facebook dhe WhatsApp vitin e kaluar. Por Qeveria nuk ka komentuar mbi ato mbyllje.

Ndërkohë zëdhënësja e Facebook-ut në Afrikë, Kezia Anim-Addo, nuk pranoi të komentonte mbi planet e Etiopisë dhe nuk iu përgjigj menjëherë një pyetjeje në lidhje me akuzat e Shumete.

Gjithashtu as Twitter nuk pranoi të komentojë por edhe Zoom nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Shumete nuk pranoi të specifikonte një afat kohor, buxhet dhe detaje të tjera, por i tha agjencisë së lajmeve Reuters: “Arsyetimi i zhvillimit të teknologjisë me kapacitet lokal është i qartë … Pse mendoni se pse Kina po përdor WeChat?”

Ai tha se Etiopia kishte ekspertizën lokale për të zhvilluar platformat dhe nuk do të punësonte të huaj për të ndihmuar.