“Etihad” dhe “Emirejts” transportuesit ajror më të sigurt në vitin 2022

Kompanitë ajrore “Etihad” dhe “Emirejts” janë në krye të renditjes globale të kompanive ajrore më të sigurta në vitin 2022, sipas analizës së agjencisë së analizës së fatkeqësive ajrore me seli në Hamburg (JACDEC).

Kompania lidere gjermane “Lufthansa” u rendit e 14-ta për sa i përket sigurisë në rangimin global të 25 kompanive më të mëdha.

Trafiku ajror ndërkombëtar ka qenë kryesisht i sigurt në vitin 2022, pas ndërprerjeve për shkak të pandemisë së koronavirusit, thuhet në raport.

Analistët, megjithatë, paralajmërojnë se burimi i ri i pasigurisë është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Linja ajrore ruse “Aeroflot” u vlerësua dukshëm më keq në renditjen e re – vendi i 25-të.

Sipas ekspertëve, aksidenti më i rëndë i avionit vitin e kaluar ishte rrëzimi i Boing-ut 737-800 i “Çajna Istern Erlajns” më 21 mars në të cilin humbën jetë të gjithë pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit – gjithsej 132 persona.

Vitin e kaluar, JACDEC regjistroi gjithsej 19 aksidente të aviacionit në botë në të cilat nuk kishte të mbijetuar, me gjithsej 233 të vdekur, pra 60 më shumë se në vitin 2021, kur, megjithatë, siç u tha, numri i fluturimeve ishte dukshëm më i ulët.

Në 10 vitet e fundit në fatkeqësitë ajrore mesatarisht kanë humbur jetën 372 persona.

Indeksi i rrezikut JACDEC bazohet në të dhënat e aksidenteve për çdo kompani ajrore individuale gjatë 30 viteve të fundit, mjedisin specifik të vendit në të cilin operon dhe faktorët specifikë të rrezikut.

Edhe pse teorikisht është e mundur të arrihet një vlerë indeksi prej 100 pikësh, as kompanitë ajrore më të mira nuk arrijnë ta bëjnë këtë.