Është ngritur nismë që mali Kozhuf të shpallet park kombëtar

Gjevgjeli, 3 janar – Kryetarët e Kavadarit, Gjevgjelisë dhe Demir Kapisë, Mitko Jançev, Andon Saramandov dhe Llazar Petrov, tetë shoqata ekologjike dhe alpiniste të qytetarëve, me mbështetje të profesorëve nga Fakulteti Matematiko-Natyror ngritën nismë për shpalljen e malit Kozhuf Park Kombëtar, njoftuan nismëtarët. 

Siç bëhet e ditur në kumtesë, mali Kozhuf gjendet në territorin e komunave Kavadar, Demir Kapi dhe Gjevgjeli. Me sipërfaqe prej 893 kilometra katrorë, është një nga malet e rralla në Maqedoni me florë dhe faunë jashtëzakonisht të pasur dhe të veçantë, veçanti gjeologjike, resurse ujore, veçanti kulturore dhe historike me rëndësi kombëtare. 

“Për arsye gjeopolitike, në tetë dekadat e kaluara, Mali i Kozhufit në mënyrë të pajustifikueshme ishte i përjashtuar nga kujdesi dhe interesi i shtetit për mbrojtjen dhe ruajtjen e tij. Sipas veprimtarive shkencore dhe kërkimore të kryera në dyqind vitet e fundit, është dëshmuar se mali i Kozhufit ka vlera me rëndësi ndërkombëtare në shumë aspekte. Prandaj, kryetarët e komunave të Kavadarit, Demir Kapisë dhe Gjevgjelisë, së bashku me dhjetëra shoqata ekologjike dhe alpiniste, morën vendim historik dhe filluan nimsën për shpalljen e malit Kozhuf park kombëtar”, qëndron në kumtesë.

Shtojnë se me shpalljen e malit Kozhuf Park Kombëtar, jo vetëm që do të mbrohet kjo pasuri jashtëzakonisht natyrore, por do të kontribuojë edhe për zhvillim të madh ekonomik-social dhe ngritje të rajonit dhe shtetit në tërësi. 

Nënshkruesit e kësaj nisme sqarojnë se në fillim të këtij viti do të fillojnë aktivitetet për përgatitjen e Studimit të Valorizimit të parkut kombëtar, i cili duhet të jetë gati në një periudhë prej 2 deri 3 vjet. Më pas studimi i dorëzohet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa më pas Qeveria i dorëzon Kuvendit të Maqedonisë propozim për shpalljen e malit të Kozhufit park kombëtar.