Është ndërprerë mbledhja e 57-të e Kuvendit, debati për Raportin e KE-së për vitin 2021 vazhdon nesër

Shkup, 5 maj – Në Kuvend sot pasdite vazhdoi debati për Raportin e Komisionit evropian për vendin për vitin 2021, në suaza të mbledhjes së 57-të.

Për deputetët opozitarë Raporti është rrëfim real për “gjendjen e keqe në të gjitha sferat në vend” dhe “vlerësimet janë më të këqija se sa në raportet e kaluara”. Deputetët nga shumica, ndërkaq, theksuan se në të vlerësohet se “në të gjithë kapitujt apo klasterët ja përparim të caktuar” dhe se “gjendjet janë shumë më të mira se sa gjatë sundimit të opozitës së tanishme”.

Deputeti Zllatko Penkov nga VMRO-DPMNE theksoi se në Raport është vlerësuar se shteti tregon nivel të mirë të përgatitjes në pesë sfera, mesatarisht në 25 dhe fazë të hershme të përgatitjes në dy sfera dhe atë liria e lëvizjes së punëtorëve dhe dispozita buxhetore dhe financiare.

“Aplikimi për anëtarësim në BE është parashtruar më 22 mars 2004. Ku jemi ne nga ajo datë deri më tani, të gjithë e kemi të qartë. Janë dhënë rekomandime për fokus më të madh ndaj kapacitetit administrativ dhe zbatimit efikas të legjislaturës. Lidhur me shtyllën e parë, ku janë demokracia, Kuvendi dhe shoqëria civile, është vlerësuar përparim i konsiderueshëm dhe se partitë opozitare mbetën aktivisht të përfshira në punën e Kuvendit”, tha Penkov.

Ai theksoi se në Raport është vlerësuar se shteti nuk ka rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Penkov konstatoi se prej vitit 2004 deri më sot, shteti nuk ka bërë mjaft për t’u bërë anëtare e BE-së.

Deputetja nga VMRO-DPMNE, Ivanka Vasilevska theksoi se në Raport, si edhe çdo vit, në disa sfera është vlerësuar përparim më i vogël në disa më i madh, por, siç tha, problemi kryesor për mosmarrjen e datës për fillim të negociatave është kontesti i pazgjidhur me Bullgarinë, e cila e pengon eurointegrimin e shtetit tonë.

Nënkryetari i Kuvendit, Goran Misovski e ndërpreu mbledhjen e 57-të, ndërsa vazhdimin e saj e caktoi për nesër në orën 11:00.