Erion Veliaj kërkon lirimin nga burgu, del përpara gjykatës të mërkurën

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili prej më shumë se dy muajsh ndodhet në masën e sigurisë “arrest në burg” nën dyshimin për kryerjen e dy veprave penale, ka kërkuar lirimin nga qelia.
Veliaj ka paraqitur kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë, si dhe ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Kërkesa e tij pritet të shqyrtohet të mërkurën nga gjyqtari i hetimit paraprak, Erjon Bani, i cili më herët kishte firmosur masën “arrest në burg” ndaj Veliajt.
Kryebashkiaku i Tiranës më herët apeloi masën e GJKKO në Apelin e Posaçëm, por shkalla e dytë e gjyqësorit vendosi të rrëzojë kërkesën e tij duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Erjon Bani në seancën e vlerësimit të masave të sigurisë që u mbajt në Gjykatën e Posaçme më 12 shkurt.
Për të njëjtën çështje, biznesmeni Elman Abule qëndron në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt si dhe pesë biznesmenë të tjerë, mes tyre Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Sokol Kryeziu, janë kufizuar me masën “detyrim paraqitje”.